E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Markut, kapet i dyshuari

Viktima: Paulin Marku

Një këngëtare shqiptare e lokaleve të natës në Zvicër dyshohet se ka qenë shkak i vrasjes së Paulin Markut, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së martës tek kthesa e Kamzës, në Tiranë.Mbrëmë, policia e Tiranës deklaroi se ka ndaluar një të dyshuar në lidhje me vrasjen. Ai është identifikuar pas shoqërimit të gjashtë personave me lidhje farefisnore mes tyre, të cilët u pyetën në polici për disa orë. Sipas burimeve nga policia, i dyshuari është Astrit Vladi, nipi i këngëtarit Arif Vladi. Deri në orët e para të mëngjesit, policia dhe prokuroria ende nuk kishin marrë një vendim për arrestimin e tij, megjithatë pohuan se kanë disa prova që e implikojnë atë. Policia ka thënë se i dyshuari është njohur me viktimën, shtetasin Paulin Marku, në një lokal me muzikë live në Zvicër, ku këndonte Vladi. Viktima e vrasjes, Paulin Marku, mësohet se udhëtonte shpesh nga Italia drejt Zvicrës. Sipas  burimeve atje, viktima ka pasur një konflikt për motive personale me të dyshuarin Vladi, në lidhje me një vajzë që këndonte bashkë me të në lokalin me muzikë. Vajza ka qenë e shoqëruar gjatë gjithë paradites së djeshme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke u marrë në pyetje bashkë me të dashurin e saj. Ajo është pyetur në polici, pasi në telefonin e 31-vjeçarit të vrarë në Tiranë është gjetur numri i saj në thirrjet hyrëse edhe dalëse, që Paulin Marku ka pasur para se të ekzekutohej. Policia nuk dha detaje më të hollësishme rreth të dyshuarit, pasi ai është marrë në pyetje gjatë gjithë natës dhe sot pritet të jepet një version zyrtar i policisë në lidhje me të shoqëruarin Astrit Vladi. Që prej mesditës së djeshme, burime të rezervuara nga grupi hetimor thanë se 31-vjeçari nga Puka, Paulin Marku, mund të jetë vrarë edhe për ndonjë konflikt personal.
KONFLIKTI PERSONAL
Policia tha se mesditën e djeshme ka shoqëruar një çift, Astrit Vladin dhe këngëtaren e lokaleve të natës në Zvicër. Ata janë pyetur në lidhje me vrasjen e 31-vjeçarit nga Puka, nisur nga tabulatet e telefonit të viktimës, ku janë verifikuar thirrjet e fundit hyrëse dhe dalëse. Sipas policisë, çifti bën pjesë në rrethin e të njohurve të viktimës. Nga këqyrja e telefonit të 31-vjeçarit ka rezultuar që disa orë para vrasjes së tij, ai ka komunikuar me vajzën, që ishte edhe e dashura e shokut të tij. Duke dyshuar se i riu mund të ishte qëlluar për vdekje edhe për motive xhelozie, policia ka pyetur çiftin, por gjatë deklarimeve djali është shprehur se nuk kishte keqkuptime.
DESHMITARET
Veprimi i parë hetimor që ka kryer policia mbrëmjen e së martës menjëherë pas vrasjes së Paulin Markut, ka qenë verifikimi i targës së mjetit Benz, TR 6321 M, nga e cila dyshohej se ishte qëlluar për vdekje 31-vjeçari. Pas verifikimit të kësaj targe, është zbuluar se pronarët e saj, babë e bijë, ndodhen me pushime jashtë shtetit dhe janë ngritur dyshime se një shifër apo një germë e targës së mjetit është dhënë gabim. Burime nga grupi hetimor thanë se është marrë në pyetje miku i ngushtë i viktimës, emri i të cilit nuk mund të bëhet i ditur për shkak të hetimeve. Ai ka deklaruar se disa ditë më parë, Paulin Marku, ishte shprehur se kishte disa konflikte të rënda, të cilave ua kishte frikën. Por, miku i tij është shprehur se nuk i ka kushtuar shumë rëndësi fjalëve të 31-vjeçarit dhe nuk e ka fiksuar nëse ai i ka folur për konflikte jashtë apo brenda Shqipërisë.

Viktima, shtatë hyrje-dalje në Itali brenda këtij viti

TIRANE – Paulin Marku e kishte mbyllur prej disa vitesh jetën e tij si emigrant në Itali, megjithatë herë pas here kthehej atje për të qëndruar disa ditë dhe kthehej sërish në Tiranë. Nga verifikimet që ka kryer policia kufitare, me kërkesë të grupit që po heton vrasjen e tij, rezulton që brenda këtij viti, 31-vjeçari Marku ka udhëtuar shtatë herë drejt Italisë, prej andej ai rezulton se ka shkuar në Zvicër, ku ka njohur edhe këngëtaren e lokaleve të natës. Sipas të dhënave të policisë, Marku ka udhëtuar gjithmonë vetëm dhe si gjatë vajtjes, ashtu edhe në kthim ka qenë i pashoqëruar. Familjarët e viktimës kanë pohuar dje për policinë se nuk kanë asnjë hasmëri të bartur nga Puka dhe ky fakt është vërtetuar edhe nga dosjet e policisë. Qoftë vëllezërit, qoftë edhe vetë viktima, nuk rezultojnë të kenë kryer vrasje apo edhe ndonjë plagosje. Megjithatë, policia ka nisur verifikimet në fshatin Miliska të Pukës, nga është familja Marku, por edhe në fshatra të tjera të afërta me të, për të vërtetuar nëse ndonjë pjesëtar i fisit, qoftë edhe kushërinj të largët, mund të kenë ndonjë hasmëri të vjetër dhe i ruhen gjakmarrjes.

Gjashtë numra në përgjim për hetimin

TIRANE Prokuroria e Tiranës ka asistuar hetimet në vendin ku ndodhi vrasja e Paulin Markut mbrëmjen e së martës në Tiranë. Megjithatë, për shkak se ngjarja është ende pa persona të ndaluar e, për rrjedhojë, nuk ka afate procedurale, dosja ndodhet në Policinë e Tiranës, e cila është duke kryer hetimet e nevojshme për zbardhjen e ngjarjes. Organi i akuzës ka asistuar kryerjen e veprimeve hetimore që në vendin e ngjarjes, ndërsa dje është mësuar se grupi i hetimit ka vënë në përgjim numrat e telefonave celularë të 6 personave të dyshuar. Komunikimet e tyre po mbahen në mbikëqyrje nga policia për të zbuluar ndonjë të dhënë që do të çonte në zbulimin e autorëve të vrasjes së ndodhur te Kthesa e Kamzës në Tiranë. Prokuroria dhe policia, në bashkëpunim mes tyre, janë duke kryer një sërë veprimesh të tjera hetimore dhe procedurale në lidhje me ngjarjen. Në një deklaratë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës thuhej se është ngritur një grup i përbashkët hetimor, ndërkohë që theksohej fakti se po vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e autorëve të vrasjes.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›