Si u zhduk në Tiranë profesori i shquar Zuber Stanisllav

Profesor Arqile Teta, duke rrëfyer për Panorama. Foto: Vlasov Sulaj
Me fundin tragjik të profesorit polak, që zbuloi vendburimet e naftës në Kuçovë e Patos, regjimi i Tiranës eliminoi një nga kontribuesit e fuqishëm të depozitave të arit të zi.Më shumë se një akt barbar, profesor Arqile Teta, autori i monografisë Stanisllav Zuber, jeta dhe vepra, zhdukjen misterioze të inxhinierit gjenial të përmasave europiane, e cilëson vetëvrasje të interesave strategjike të ekonomisë shqiptare në një periudhë kritike. Për të, mënyra si u mohua emri dhe vepra e profesor Zuberit nga regjimi komunist, ishte e pakuptimtë dhe kriminale. Ka qenë diçka absurde në sjelljen e pushtetit me kontributin e tij, saktëson profesor Teta, duke nënvizuar se vepra e shquar e inxhinierit të famshëm iu destinua zyrtarisht harresës dhe u ndalua të njihej e të studiohej nga specialistët e fushës. Me hulumtimet në Shqipëri e Poloni, studiuesi i njohur ka ndriçuar profilin e këtij kolosi të shkencave gjeologjike me materiale të panjohura dhe dokumente të shumta, të cilat i japin figurës së profesor Zuberit trajta të plota e përmasa reale. Në rrëfimin për Panorama, autori i monografisë kushtuar shkencëtarit të famshëm zbulon të tjera fakte e hollësi mbi jetën e profesor Zuberit, këtij personaliteti të shquar me kombësi polake, që vdiq në kushte mizore në Burgun e Tiranës
Zoti Arqile! Në monografinë Profesor Stanisllav Zuber, jeta dhe vepra, që keni botuar së fundi, e vlerësoni atë si babain e Gjeologjisë së naftës shqiptare. Çfarë keni parasysh me këtë cilësim?
Profesor Zuberi ishte një nga korifejtë e shkencave europiane, që kontribuoi në vendin tonë nga viti 1927 deri në vitin 1947. Ai realizoi studime shumë të rëndësishme në fushën e Gjeologjisë krahinore, Tektonikës e veçanërisht në zbulimin e vendburimeve të naftës e të gazit, të cilat edhe sot kanë impakt e vlera të padiskutueshme. Ndër veprat më të spikatura të tij mbeten Harta Gjeologjike e Shqipërisë e shkallës 1.200.000 dhe sidomos Harta Tektonike e Shqipërisë e shkallës 1.400.000, të cilat kanë qenë e janë një bazë e shëndoshë e studimeve shkencore të fushës përkatëse. Profesor Zuberi ishte një personalitet i shquar, jo vetëm si kërkues e zbulues i dobishëm, por edhe si autor i dhjetëra studimeve e botimeve shkencore që bënë emër edhe përtej Europës. Një ndër veprat e famshme të tij ishte Muzeu Gjeologjik i Kuçovës, i nderuar e konceptuar si Muzeu Gjeologjik i Ballkanit. Në atë kohë, Zuberi, ishte ndër të paktët specialist që e njihte shumë mirë gjeologjinë e rajonit dhe të gadishullit të Apenineve
Cilat ishin arsyet që regjmi i vendosur pas luftës e mohoi kontributin e profesor Zuberit?
Ka qenë diçka absurde në sjelljen e pushtetit komunist me kontributin e profesorit polak Stanisllav. Për gati gjysmë shekulli emri dhe vepra e tij u mohuan në mënyrë kriminale, ndërkohë që vet ai ishte shpallur reaksionar e sabotator. Paradoksalisht, vepra e shquar e inxhinierit të famshëm iu destinua harresës dhe u ndalua zyrtarisht të njihej e të studiohej nga specialistët e fushës. Po ashtu ishte ndaluar të citoheshin studimet e tij, madje nuk lejohej ti përmendej as emri.
Çfarë ndodhi me studimet e profesorit pas vdekjes?
Profesor Zuberi ishte një arkiv i jashtëzakonshme. Pas vdekjes së tij ndodhi ajo që sot është e pakuptueshme dhe kriminale. Vepra shumëvëllimëshe e profesor Stanisllavit (studime, relacione, promemorie, përshkrime, skica, profile, vizatime e deri te hartat madhore) artikujt e veprat e botuara në revista e gjuhë të ndryshme, u nxorën brutalisht nga shtëpia e tij, nga biblioteka private dhe u hodhën rifuxho pranë Muzeut Gjeologjik të Kuçovës, duke i lënë në mëshirën e fatit, në shi e në baltë. U përbalt kështu puna, djersa, u flak mendimi i artikuluar, u shkel e u masakrua trashëgimia shkencore e Zuberit të Madh. Ky ishte fati i zi i veprës së shkruar të këtij kolosi, që u ndëshkua nga mizoria e krimit të forcave injorante. Fat edhe më të keq pati Muzeu Gjeologjik i krijuar me aq mund e djersë gjatë një periudhe 20-vjeçare nga Zuberi. Gjithë ato eksponentë e koleksione të sistemuara mbi kritere shkencore, prerje gjeologjike, harta, skica, vizatime ilustruese u flakën e shpërdoruan si gjëra pa vlerë. Sallat e muzeut u kthyen në mjedise dëfrimi e salla lojërash. Po vepra e profesor Zuberit nuk u zhduk plotësisht. Mjaft nga dorëshkrimet e tij mbetën nëpër zyra e institucione. Pati të tjera që u fshehën e ruajtën nga individë të ndryshëm. Të gjitha këto përballë urdhrave zyrtarë që vepra e armikut Stanisllav të mos lexohej e të mos citohej, pasi ka gabime ideologjike, koncepte idealiste metafizike që bien ndesh me ligjet universale të materializmit dialektik marksist
A ka pasur interes nga studiuesit e fushës për tu njohur me materialet e Zuberit?
Interesimi i specialistëve për materialet studimore të profesor Zuberit ka qenë i vazhdueshëm, ndonëse ilegalisht. Fillimisht kanë qenë më të interesuar specialistët e huaj. Ata e njihnin mirë peshën e profesorit të talentuar dhe vlerën e arkivit të tij. Ka dëshmitarë që pohojnë se edhe pjesën e mbetur të arkivit të Stanisllavit, në vitin 1948 e ngriti me kamion dhe e çoi në Bashkimin Sovjetik inxhinier Staniklijev, gjeologu i parë sovjetik që erdhi në Shqipëri. Ka hipoteza të tjera që mjaft nga studimet e profesorit polak kanë shkuar në rrugë ilegale në Beograd. Mjerisht, edhe ato pak dokumente që mundën të shpëtonin nga inkuizicioni absurd, në vitet 70 u dogjën me urdhër, sikundër edhe mjaft nga materialet dhe studimet e specialistëve të tjerë të huaj që u hoqën nga qarkullimi dhe u zhdukën përgjithmonë. Këtë fat pësuan madje të gjitha tekstet e shkruara që u referoheshin këtyre punimeve…
Nga aq sa e keni studiuar biografinë e Zuberit, cilat rezultojnë motivet kryesore të penalizmit të tij, menjëherë pas çlirimit?
Për të zbardhur të plotë këtë dilemë, duhet marrë në konsideratë konteksti kohor i ngjarjes. Parë në këtë vështrim, profesor Zuberi është një nga viktimat e fushatës represive që ushtroi regjimi kundër pjesës më të madhe të intelektualëve të diplomuar në Perëndim, përfshi intelektualët e huaj që kishin mbetur në Shqipëri paslufte. Ishte koha e arrestimeve masive, e gjyqeve të egra politike, e dënimeve me vdekje, e proceseve të montuara me armiq e sabotatores, e të pandehurve të zhdukur në rrethana që nuk u bënë kurrë të njohura. Ky terror i paparë përfshiu e përplasi në burg në fillimin e verës së vitit 47 edhe profesor Zuberin. Fillimisht e akuzuan si agjent të zbulimit amerikan që bashkë me inxhinierin Riza Alizoti, si të vetmit specialistë të lartë të industrisë së naftës në Shqipëri, kishin qenë organizatorët kryesor të sabotimeve në naftë. Pastaj e penalizuan si agjent të gjermanëve( nisur nga kombësia gjermane e bashkëshortes që u vra nga bombardimet e aleatëve ne vitin 43 në Kuçovë), si bashkëpunëtorë të okupatorëve italianë, si spiun të britanikëve etj…
Flitet ndërkaq se profesor Zuberi është dënuar se ka fshehur vëndburimet e floririt në vendin tonë…
Akuza e dokumentuar edhe ne dosjen e procesit, se Zuberi mban një qëndrim konspirativ e tallës kur i kërkohet të tregojë ku ndodhet floriri në Shqipëri, është me e rënda e më absurdja njëherazi. Gjithçka në këtë histori qesharake lidhej me një ngjarje spontane. I pyetur nga një zyrtar partiak në fund të vitit 46 për depozitat e arit, profesor Zuberi ishte shpjeguar shkujdesur: Shqipëria ka ar, por për ta zbuluar atë, duhet të harxhojë dhjetëfishin e vlerës së depozitës. Kjo deklaratë iu vu përpara nga hetuesi i çështjes, një natë para se të ndërronte jetë…