E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibër, Gjykata: Të nxirren jashtë grevistët e Bulqizës

Greva e urisë së minatorëve në Bulqizë

Gjykata e Dibrës pranon kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për të nxjerrë jashtë grevës minatorët e ngujuar në galerinë 14 të minierës së Bulqizës.Pas dy ditësh nga kërkesa që METE, nëpërmjet Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit, iu drejtua Gjykatës së Dibrës, kjo e fundit vendosi ndërprerjen e grevës. Nga ana e METE-s ishte kërkuar që të zhbllokohet kjo situatë e rrezikshme, e krijuar në ambientet e brendshme të minierës së Bulqizës për shkak të organizimit të grevës së urisë nga një grup minatorësh. Kjo bëhet me qëllim mbrojtjen e jetës së minatorëve dhe interesave pasurore të shtetit në minierë. Ndërprerja e punës në minierë për shkak të kësaj greve ka krijuar rreziqe serioze për jetën dhe shëndetin e grevistëve. Gjithashtu, nga ndërprerja e punës në minierë, shtetit shqiptar po i shkaktohen dëme të pallogaritshme ekonomike dhe financiare, pasi nuk mirëmbahet miniera, bëhet e ditur në deklaratën e METE-s. Bazuar dhe në një raport të specialistëve të Repartit të Inspektim-Shpëtim Miniera, rezulton se moskryerja e veprimtarive jetike për mirëmbajtjen e minierës përbën bllokimin e saj, duke krijuar shembje të punimeve minerare dhe shkatërrimin e makinerive të instaluara në minierë, të cilat arrijnë një vlerë të konsiderueshme financiare. Pikërisht mbi këtë kërkesë, me datë 17 gusht, Gjykata e Dibrës mori vendimin e ndërmjetëm, me anë të të cilit vendosi që të pranojë faktet e paraqitura nga Ministria e Ekonomisë. Sipas vendimit të Gjykatës, lejohen specialistët që kanë lidhje me marrjen e masave për eliminimin e rreziqeve për jetën dhe shëndetin e minatorëve në minierë. Nisur nga këto të dhëna, Gjykata vendosi nxjerrjen e minatorëve grevistë nga ambientet e minierës së Bulqizës. Bazuar te vendimi i marrë të mërkurën, ditën e djeshme METE u kërkoi zyrtarisht strukturave përgjegjëse zbatimin e tij. Të pyetur dje nga gazeta si presidenti i Sindikatave, Kol Nikollaj, ashtu dhe drejtori i Policisë Dibër, Artan Hasanaj, u shprehën se ata nuk disponojnë një vendim gjyqësor, por thanë se këtë e kanë mësuar nga mediat.

Minatorët ngrenë grupet e gatshme

Lajmi se Gjykata ka vendosur pezullimin e grevës dhe se policia do të ndërhyjë për zbatimin e tij ka krijuar tjetër situatë për minatorët. Është mbledhur me urgjencë komisioni i grevës dhe këshilli sindikal dhe kanë vendosur që të shtojnë shërbimet në afërsi të minierës, sidomos në hyrje të galerisë kryesore. Taf Koleci, njëri nga eksponentët kryesorë të Konfederatës, tha se prej javësh minatorët bëjnë roje me turne pranë grevës së urisë. Nuk ka polici e forcë të na mposhtë në të drejtën tonë, deklaroi ai.

Minatorët bllokojnë rrugën, ulen fëmijë e gra në asfalt

Protesta e djeshme

BULQIZE – Minatorët dhe familjarët e tyre kanë protestuar sërish dje, duke bllokuar për disa orë rrugën nacionale, në mbështetje të grevës së urisë që po zhvillohet në nivelin 14. Prej orës 09:00 deri në orën 11:00, qindra banorë, fëmijë, gra e burra kanë bllokuar rrugën nacionale në dalje të saj, në vendin e quajtur Kthesa e 41-shit. Megjithëse policia lokale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ndërtuar kordonë me efektivët e tyre, protestuesit kanë mbajtur të bllokuar rrugën për të paktën dy orë. Fëmijët e minatorëve dhe ish-minatorët grevistë të urisë që kanë dalë tri ditë më parë nga nëntoka ishin ulur në asfalt dhe nuk lejonin lëvizjen e makinave në aksin nacional Peshkopi-Tiranë. Forcat e policisë herë janë përpjekur ti bindin sindikalistët dhe protestuesit se po ndërmarrin një akt të paligjshëm e duhet ta lironin rrugën kryesore, herë janë përpjekur të përdorin forcën për ti larguar ata. Protestuesit janë bërë dëshmitarë të përdorimit të dhunës mbi minatorët dhe familjarët protestues, ndërkaq që dje revolta ishte më e madhe sesa ditët e tjera. Pasi kanë qëndruar të paktën dy orë në segmentin Qafa e Buallit-Karburanti, në hyrje të qytetit, grumbulli i protestuesve ka bërë një ndalesë tjetër në afërsi të spitalit lokal, duke bllokuar makinat të hyjnë apo të dalin nga qyteti. Shumë prej minatorëve lëshonin thirrje kundër firmës austriake dhe kërkonin zgjidhjen e shpejtë të kërkesave të tyre ekonomike. Zyrtarë të policisë lokale kanë negociuar me protestuesit që të lironin rrugën drejt spitalit të qytetit, pasi kështu po pengonin ambulancat drejt urgjencës së spitalit të Bulqizës. Drejtuesit e këshillit sindikal iu bindën policisë dhe e spostuan turmën drejt sheshit Minatori, përballë Bashkisë Bulqizë. Për afro një orë para godinës së Bashkisë, duke u bërë thirrje autoriteteve lokale, kryebashkiakut, nënprefektit dhe zyrtarëve të tjerë të bashkohen me minatorët dhe familjet e tyre, pasi situata në Bulqizë po del jashtë kontrollit. Rreth orës 14:00 protesta është spostuar në mjediset e ACR-së, pranë galerisë kryesore ku kanë hyrë grevistët e urisë.

ACR të ndalë presionet mbi Sindikatën

Disa organizata joqeveritare janë vënë dje në mbrojtje të të drejtave të minatorëve të Bulqizës. Kryesisht të rinj, kanë udhëtuar nga kryeqyteti deri në hyrje të galerisë kryesore dhe janë shprehur se aktualisht burimet natyrore të vendit tonë po shfrytëzohen padrejtësisht, ndërkohë që minatorët po rrezikojnë jetën çdo ditë. Kjo po ndodh jo vetëm nga natyra e pashmangshme e punës që kanë, por edhe nga mungesa e investimeve bazë në infrastrukturën e minierës, nga mungesa e mjeteve te nevojshme për punë. Për më tepër, këmbëngulja e ACR-së për të negociuar me persona të zgjedhur nga ajo vetë është minimalisht e dyshimtë, për të mos folur se sa shpërfillëse dhe dobësuese është për struktura, si sindikatat, që në Shqipëri duhen forcuar dhe reformuar, shkruhet në deklaratën e këtyre organizatave.

14 minatore
ndodhen aktualisht në grevë urie në galeritë e nëntokës së Bulqizës. Dhjetë prej tyre u zëvendësuan 4 ditë më parë nga 10 të tjerë, pas rreth 3 javësh ngujimi

1 muaj
e gjysmë kanë kaluar që nga mbyllja totale e minierës së Bulqizës dhe bllokimi i aktivitetit të saj nga ana e minatorëve protestues e më pas atyre të izoluar në grevën e urisë

700 minatore
janë përfshirë në protestën masive kundër ACR-së, duke reaguar në këtë mënyrë për mosrealizimin e kërkesave të tyre në lidhje me investimet në minierë dhe pagesat

Protestat

Ndërprerja e punës në minierën e Bulqizës nisi më 4 korrik 2011. Atë ditë, këshilli sindikal i minatorëve iu drejtua ACR-së me këto kërkesa: rritje të pagës 20%, nisjen e thellimit të pusit të ri, përmirësimin e kushteve të punës, largimin e subjekteve të palicencuara nga miniera. Sipas sindikatës, 700 minatorët do të riktheheshin në punë pasi të merrnin përgjigje pozitive nga ana e ACR-së.

Tiranë

Nga data 18 deri më 22 korrik gati 300 minatorë protestuan për pesë ditë në rrugët e kryeqytetit, para Kryeministrisë, Ministrisë së Ekonomisë, ACR-së. Megjithëse u strehuan

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›