E Diel, 1 Nëntor 2026

Si ua lejon ndërgjegjja që përkthejnë vepra antishqiptare?

02-09-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Një shoku im i bankave të shkollës së mesme është dashamir i historisë. Idajet Çoçoli, -emri i tij, - ka pas dhënë fizikë dhe matematikë në shkollë të lartë. Por është dashamir i thekur i historisë. Më merr vazhdimisht në telefon për kafe. Ka blerë një enciklopedi të dy autorëve të njohur me 12 vëllime, përkthyer në shqip.  Titulli: “Historia botërore e qytetërimi“. Titulli në origjinal është paksa i ngatërruar, se përdor edhe a-në e o-në me dy pikat sipër: Världshistoria, Folkens div cch Kukltur, me autorë Carl Grimberg dhe Ragnar Svanströms! Autorët janë suedezë. “Në vëllimin 5, f. 103, - më thotë Idua , thuhet se  Sulltan Murati fitoi ndaj serbëve në vitin 1389, në betejën e  Fushë-Kosovës, ku ushtritë e bashkuara serbe dhe bullgare u shpartalluan. Nga ky çast, për këta dy popuj filloi një periudhë skllavërie shekullore, nën pushtuesit turq“. Mikut tim i bën përshtypje sesi vetëm serbët dhe bullgarët “paskan hequr një skllavëri shekullore”, ndërsa Shqipërisë as që i zihet fare emri me gojë! Po ashtu edhe Skënderbeut as që i përmendet emri fare,  ndonëse ishte mbrojtësi i krishterimit nga pushtuesit turq. Në faqen 114 shohim gjëra të tilla, që të bëjnë të të vijë keq për prestigjin e autorëve me emër, që kanë rënë në një tendenciozitet filosllav, antihistorik! Për të ardhur keq, vërtet.
Idajeti m’u lut të rrëmoj në Google për një subjekt të tillë, sepse Idua nuk ka vendosur endé lidhje me internetin. Kërko këtej, kërko andej, në ata emra me a me dy pika sipër dhe me o me dy pika sipër dhe kjo jepte disa materiale në gjuhën suedeze, siç mu duk. Kur, befas, më del një material shqiptar, me në krye “Monday, November 27, 2006”, me një titull që ishte plotësisht brenda temës së kërkuar. Titulli: “Enciklopedistët tanë shpërfillin Shqipërinë”. Kërkoja autorin, në fund të dy faqeve printer, në A-4 që të mos më dukej vetja si plagjiat. Pashë vetëm: “Technokrati tags: Shqipëria”. E kërkoja shkruesin, sepse, në një vend, ai shkruante: “Né nuk po tërbohemi nga inati sepse një enciklopedi nuk ka përfshirë Skënderbeun; sepse ka me qindra enciklopedi, édhe angleze, që e kanë përfshirë. Né tërbohemi se është e mundur që ka shqiptarë të cilët guxojnë  që të zgjedhin për të përkthyer, si enciklopedi të parë “të madhe”, në Shqipërinë tonë të dashur, një si kjo?” . E kishte fjalën pikërisht për atë që e kishte blerë, me privime të mëdha, Idajeti, që ishte entuziazmuar me shumë tema shkencore dhe që, befas, kishte rënë në një zhgënjim tërësor!
Anonimi ynë i vyer flet bash për atë enciklopedinë, që mund të zhgënjejë cilindo  shqiptar të ndershëm, që flet në mënyrë aspak objektive, kundër Shqipërisë dhe Kosovës, me njëanshmërinë e dukshme për të përligjur, në mënyrën e tij, Serbinë dhe serbët që derdhën lumenj gjaku shqiptar për të mos e lënë Kosovën shqiptare (me mbi 92 % shqiptarë), një koloni anakronike të shekujve XX-XXI. Dhe nuk e ka më tepër me autorët e enciklopedisë, sesa me vetë disa nga shqiptarët, që e bëjnë faqen rrogoz, për të çuar ujët në brazdën e kolonizatorit të pashpirt, që tani na kërkon “barazí” krimesh me përralla si ato të Karla del Pontes e të atij tjetrit, komisionarit majtist, që dha dorëheqjen, se dështoi në atë muhabetin e pabesueshëm të transplanteve.
Autori duket se është një i dhënë shumë pas studimeve historike, për të cilat “historianët” tanë, që u ka mbetur ora tek historiografia e indoktrinuar e një kohe të perënduar, nuk marrin vesh nga këto statistika. Ta shohim: “Enciklopedia ka rreth 1400 faqe. Në shtëpi kam shtatë enciklopedí të huaja, të ngjashme me enciklopedinë në fjalë, Prej tyre, gjashtë, e pikërisht  “Enciklopedia Zanicchelli”, nën kujdesin e Edigeo-s, me 2100 faqe; “Grande Enciklopedia Illustrata”, Rizzoli, me rreth 1860 faqe; Lexikon A bis Z in einem Band”, me drejtor Heinz Goeschel, rreth 1070 faqe; “Le Petit Robert 2” , rreth 1992 faqe; “Balshoj Enciklopediçeskij Sllovar”, rreth 1600 faqe; “Larousse Compact”, rreth 1300 faqe. Pra, të gjitha këto e përmendin Skënderbeun, bile disa mjaft gjatë. Vetëm njëra nga këto enciklopedi, “e shtata” nuk e përmend. Dhe kjo, e përkthyera shqip, duke arritur numrin proverbial “8 me 2” në favor të Skënderbeut, te shtëpia ime, por jo në shtëpitë e shumë shqiptarëve të tjerë, pas blerjes së enciklopedisë në fjalë!”. Nëse më duhet të shtoj diçka, këtu bëhet fjalë për nja 10.000 faqe, të cilat ndonjë historian megaloman i Babaqemos plus kohëve të reja, na shkruan se ai (dhe shokët e tij) duhet të kenë monopolin e përshfaqjes ekskluzive të historiografisë së papagajve,  që po na jargavitet se “po na glorifikohet figura e Ahmet Zogut I” dhe, së dyti, “Po na zbehet figura e Ismail Qemalit”, pa përmendur dot asnjë argument! Në një kundërvënie i kam thënë se fjala “glorifikim” i është bërë me bollëk atij për të cilin i qan zemra, ndërsa Zogut i duhet hequr balta e pamerituar nga ai vetë (historiani denigrues) dhe nga  shokët e tij. Sa për Ismail Qemalin, kam dhënë provat e pamohueshme sesi është përbuzur 28 Nëntori dhe  protagonisti i tij i madh, I. Qemali, si edhé farefisnia e tij e gjerë, në kohën e Enver Hoxhës!
Në Enciklopedinë më të madhe italiane, Treccani, prej rreth 35.000 faqesh, e kam gjetur  figurën e Skënderbeut në dy zëra: Përveç në atë që u tha, edhe në emrin tjetër të Giorgio Castriotta-s. Flitet me superlativa dhe me cilësimin e heroit të kombit shqiptar dhe të mbrojtësit të lavdishëm të krishterimit. Kështu, raporti i anonimit tonë erudit shkon në 9:2! Megjithatë ai historiani ynë modest dhe pa tituj shkencorë, jam i bindur se ua merr të gjithë titujt atyre mburravecëve, po të gjendeshin përpara një komisioni historianësh të vërtetë. Ai e mbyll shkrimin e tij thuajse kështu: Mirë na e bëjnë të huajt që janë antishqiptarë. “Por Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) do të duhej t’ua nxinte jetën me kritika publike fajtorëve të kësaj gjendjeje, që përkthejnë vepra antishqiptare”. Do të më falet një ndërhyrje: “...që përkthejnë ose shkruajnë vepra antishqiptare”.  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›