Siguracioni i makinave liberalizohet, ja rregullat e reja
Zotëruesit e automjeteve, duke nisur nga muaji shtator i këtij viti, do t’i nënshtrohen një skeme të re pagese për siguracionin e makinave. Tabela e çmimeve nuk do të jetë më e unifikuar dhe e përcaktuar nga Ministria e Financave. Kjo e fundit ka përgatitur ndryshimet në ligjin “Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit”. Me ndryshimet e bëra në ligj, do të jenë vetë kompanitë të cilat do të vendosin në mënyrë të pavarur tarifat e primit të sigurimit sipas kushteve të tregut, por më parë do të duhet të njoftojnë zyrtarisht Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Në këtë mënyrë, Ministria e Financave ka vendosur të ligjërojë informalitetin e evidentuar në tregun e sigurimeve, duke tentuar të liberalizojë këtë treg. Ndryshimet e bëra në këtë projektligj diktojnë Autoritetin Mbikëqyrës Financiar të miratojë rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelin e provigjioneve teknike. Shoqëria e sigurimit përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut dhe fillon t’i zbatojë ato, pasi ka njoftuar zyrtarisht Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Megjithëse tarifat do të liberalizohen, ndryshimet në ligj parashikojnë që shoqëritë e sigurimit të krijojnë rezervat teknike (provigjonet) jo më pak se niveli i rezervave teknike të përcaktuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Autoriteti gëzon sipas ndryshimeve të bëra në ligj, të drejtën e miratimit të rregullave për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelin e rezervave teknike. Autoriteti diktohet nga ligji, që nëqoftëse konstaton se kushtet e përgjithshme të sigurimit nuk janë në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore, miraton vendime, të cilat trajtojnë mënyrën sipas së cilës shoqëria e sigurimit duhet t’i përputhë ato. Gjithashtu ligji parashikon si rezultat të liberalizimit, ndryshime edhe në sanksionet që do të vendosen në këto raste.
Aktualisht të gjithë zotëruesit e një mjeti motorik, pavarësisht kategorisë, paguajnë siguracionin T.P.L të makinës së tyre, sipas fuqisë së motorit të tyre dhe sipas një tabele unike të përcaktuar nga Ministria e Financave. Për shembull, një shtetas shqiptar që zotëron një autoveturë me fuqi motorike mbi 1500 kubikë për të lëvizur në territorin Shqiptar paguan për të prerë këtë siguracion 5400 lekë, ndërsa për një autoveturë me një motor deri në 1600 kubikë 8000 lekë. Por, nga një vëzhgim që bëri ditën e djeshme gazeta “MAPO”, në agjencitë e sigurimit të makinave, rezultoi sipas zërit të agjentëve se në këtë treg ka abuzime si nga agjentët, po ashtu edhe nga klientët që posedojnë një mjet motorik. Sipas tyre, arsyeja është fitimi në lekë dhe thithja e klientelës nga ana e agjentëve duke ulur çmimet. “Ne luajmë me uljen e çmimeve të policave të sigurimit. Ne paguhemi me komision dhe komisioni ynë del nga pagesa e primit, që është paga neto e siguracionit”, - u shpreh një nga agjentët e siguracionit të automjeteve. Sipas tyre, abuzime të tilla vihen re çdo ditë në procesin e prerjes së policave të sigurimit. “Por nga ana tjetër, mungon edhe kultura e sigurimit në tregun shqiptar. Edhe pse tregu ynë është më i liri në rajon, përsa i përket sigurimit të makinave, klientët tanë kërkojnë ulje. Madje, ata abuzojnë me veten duke kërkuar për shembull të sigurojnë një kamion për një autoveturë me motor 1600 kubikë. Dhe në rast aksidenti, ata nuk përfitojnë asnjë dëmshpërblim, pasi fatura që posedon klienti me faturat e agjencisë së sigurimit nuk korrespondojnë. Ka pasur mjaft raste të tilla” - u shpreh një tjetër agjent sigurimi makinash. Sipas tij, abuzimet mund të vihen re vetëm në rast aksidentesh. Agjentët theksuan se abuzimet nga ana e klientëve vijnë nga mungesa e kulturës dhe jetëgjatësia e vogël e këtij tregu në Shqipëri. Për këtë, Ministria e Financave ka vendosur të liberalizojë tregun e sigurimeve.