E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH Shqiptaret me optimiste se me pare per gjendjen e tyre financiare

Banka e Shqipërisë informon se në bazë të vrojtimit të konsumatorëve, konstatohet, se gjatë tre mujorit të dytë të këtij vitit, qytetarët shqiptarë janë më optimistë për gjendjen e tyre financiare.

Ndërkaq, përsa u përket bizneseve, bizneset e shërbimit paraqiten pozitive, ndërsa sektori i ndërtimit është duke rikuperuar besimin, për të investuar në vijim.
Referuar vrojtimit të konsumatorëve nga ky institucion, rezulton se treguesi i besimit të konsumatorëve u rrit me rreth 2.2 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011.

Megjithatë, nga ky vrojtim, rezulton se konsumatorët vlerësojnë se aktualisht, nuk është kohë e përshtatshme për të bërë blerje në shuma të mëdha.

Ndërkaq, çmimet pritet të bien në tremujorin e ardhshëm dhe të rriten disi gjatë 12 muajve në vijim.

Në gjashtëmujorin e ardhshëm, konsumatorët presin rritje të nivelit të papunësisë.

Përsa i përket vrojtimit për bizneset, ato që kanë ndikuar në rritje, janë besimi në sektorin e shërbimeve dhe e atij konsumator, të cilët kanë shënuar nivele pozitive.

Sipas raportit të Bankës Qendrore, pavarësisht vlerësimit negativ të situatës së prodhimit, bizneset e ndërtimit kanë raportuar se shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve ndërtuese në tremujorin e dytë të vitit 2011 është 66.2 për qind, vetëm 0.8 pikë përqindjeje nën mesataren afatgjatë.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, kjo normë e shfrytëzimit të kapaciteteve rezulton rreth 5.2 pikë përqindjeje më e lartë.

 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›