Prodhimet bujqësore, eksporti rritet me 35 %
Fruta-perimet “Made in Albania” po tregtohen kudo nëpër Europë, deri në vendet Balltike. Nga viti në vit, ato po rriten me 15 deri 25%. Zv.ministri i Bujqësisë, Ndoc Fasllia është shprehur për mediat se, deri tani janë eksportuar 35 mijë tonë në muaj. Sipas tij, deri në fund të stinës së verës eksporti i këtyre produkteve pritet të arrijë në 45 mijë tonë në muaj. Fruta-perimet që eksportohen vijnë nga Ultësira Perëndimore e vendit, si Lushnjë, Fier dhe Berat. Ndërsa më pas nis eksporti i frutave që rriten në zonën e Korçës. Tregtarët janë shprehur se do të nënshkruanin më tepër kontrata, nëse do të mund t’i seleksiononin dhe ambalazhonin më mirë. Zv.ministri Fasllia, shprehet se, për vitin që vjen do të shihet mundësia e subvencionimit në teknologji. Vendi ynë e nis eksportin në stinën e dimrit me preshin, spinaqin dhe lakrën, vazhdon në verë me eksportin e specave, domates dhe trangujve. Në muajin gusht eksportohet shalqini dhe pjepri, ndërsa në fund të vitit mollët. Gjashtëmujori i parë i këtij viti paraqitet me nota pozitive. Në treg gjenden të gjitha produktet e stinës me bollëk dhe tregjet furnizohen normalisht. Eksporti i produkteve bujqësore ka përfshirë të gjitha vendet e rajonit, por njëkohësisht edhe eksportit në Hungari, Gjermani dhe në vende të tjera të Bashkimit Europian. Eksporti me vendet e Bashkimit Europian është një tregues pozitiv për sektorin e bujqësisë. Sipas ministrisë së Bujqësisë, gjendja është mjaft e mirë, pasi këtë vit është eksportuar gati dyfishi, krahasuar me një vit më parë. Sipas tyre, kjo gjendje mjaft e mirë ka premise të mëtejshme përmirësimi, pasi fermerët kanë marrë masa efikase, teknike dhe ka më shumë investime nga prurja e përvojave që ata kanë në vendet ku kanë emigruar. Fermerët kanë filluar të orientohen nga marketingu, nga cilësia e prodhimeve, të përzgjedhjes së farave.