E Enjte, 5 Nëntor 2026

“Siguria” miraton mes debateve 2 pr/ligje; “Për sistemin e adresave” e “Gjendjen Civile”,

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot në parim dy projektligjet e sjella nga qeveria për “Për sistemin e adresave” dhe “Gjendjen Civile”. Të pranishëm në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për të prezantuar dhe diskutuar ndryshimet ligjore të sjella nga qeveria ishte zv/ministri i Brendshëm Andi Mahila, drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Vangjush Stavro dhe Besmir Beja, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.

Gjatë diskutimeve, deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani u shpreh i shqetësuar lidhur me ndikimin që këto ndryshime ligjore sjellin tek Kodi Zgjedhor.

“Kam qenë dhe në Komisionin e Ligjeve kur u diskutua ky pr/ligj për përcaktimin e adresave në Shqipëri. Aty u ngrit një problematikë nga Bylykbashi për sa i takon nëse kjo do të ndikojë në sistemin e zgjedhjeve. A është marrë parasysh nga ana juaj sugjerimi apo komenti që bëri z. Bylykbashi? Dhe e dyta, ky është për të përcaktuar adresat në Republikën e Shqipërisë, që është shumë mirë, pasi kemi vuajtur duke patur adresa të papërcaktuara dhe është mirë të përcaktohen saktësisht. Lidhur me votën e emigrantëve, çfarë është bërë nga qeveria për t’u dhënë të drejtë emigrantëve që të kenë mundësi të votojnë dhe ta ushtrojnë të drejtën e votës dhe atje ku janë?”, ishin shqetësimet e paraqitura nga Dogjani.

Zv/ministri i Brendshëm, Andi Mahila tha se këto ndryshime nuk e prekin Kodin Zgjedhor. “Të dyja pyetjet i referohen kodit zgjedhor. Për pjesën e votës së emigrantëve, është një çështje që adresohet nga kodi i zgjedhjeve. Për sa i përket adresave që ky pr/ligj rregullon, janë bërë rregullimet e nevojshme dhe pas diskutimeve të kryera në komisionin e ligjeve. Dhe shqetësimet e ngritura nga z. Bylykbashi janë adresuar, por ajo kërkesë konkretisht prek kodin zgjedhor. Një nga prurjet e këtij pr aktit, kishte një përkufizim mes përcaktimit të adresës dhe kodit të votuesit dhe në kodin civil. Ky akt e ka njehsuar. Përkufizimin e adresave dhe adresës në konceptin e kodit civil është i njëjtë tanimë. Diskutimet për kodin e votuesit, kjo adresohet tek kodi zgjedhor dhe nuk ka të bëjë me këtë. Këto shqetësimet adresohen në kodin zgjedhor, që po e diskutoni në komisionin përkatës”, nënvizoi Mahila.

Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja, tha se ky ligj ka pak ndryshime nga ai ekzistuesi, i cili, sipas opozitës, nuk është respektuar. “Më duhet të pyes përfaqësuesin e qeverisë, drejtorin e përgjithshëm të Gjendjes Civile: Cili ka qenë problemi që ligji i miratuar në 2016 për adresat ka patur si afat për realizimin e të gjithë punës, emërtimin, numërimin, të nisnin brenda datës 31 dhjetor 2016? Çfarë ju ka penguar që ligjit të gjente zbatimin që prej atij momenti? Ligji ekzistues është miratuar në 15 shtator 2015, parashikonte që puna të përfundonte në 31 dhjetor 2016, neni 29 pika 1, çfarë e ka penguar mazhorancën sot, pas 7-8 vitesh, të mos e zbatojë ligjin aktual? Dhe pyetja e dytë: Çfarë garancie kemi ne që kjo mazhorancë s’do të bëjë të njëjtën lojë, histori, duke u tallur me Kuvendin, dhe vijnë pas 1 viti dhe e kërkojnë votimin sërish?”, u shpreh Gështenja.

Zv/ministri i Brendshëm tha se ligji i vjetër është zbatuar dhe këto përmirësime ligjore, për të cilat qeveria po kërkon votën e Kuvendit, vijnë për të zbatuar dhe ato detaje që kanë mbetur pa realizuar. “Nuk është se nuk kanë funksionuar ligjet e mëparshme. Ka patur arsyet e moszbatimit në detaje të ligjit të 2016 është dhe argument përse ka ardhur ky ligj. Një nga elementët kryesorë ka qenë dhe pushteti vendor. Me ligjin që sjellim dhe me rregullimet që kemi bërë dhe parashikimet e vendosura në ligj besojmë se rregullojnë ato elementë që kanë ndikuar në mos zbatimin në mënyrë korrekte ligji i vitit 2016”.

Vangjush Stavro, drejtor i përgjithshëm i Gjendjes Civile, tha se “në vitin 2016 u hartua ligji për regjistrimin kombëtar të adresave dhe po ashtu dhe votës së emigrantëve. Ligji pati efekte, u parashikonte dhe gjobë në 2017. Nisi fushata e gjetjes së banorëve dhe adresave dhe rezultati ishte që sot ne kemi 2.6 milionë shtetas shqiptarë në regjistrin kombëtar të adresave, sipas standardeve të parashikuara nga ai ligj. Çështja e adresave është një proces, nuk zgjidhet menjëherë. Nga eksperienca e krijuar dhe problematikat e evidentuara e gjykuam të nevojshme që regjistri kombëtar i adresave, si një sistem dhe një bazë shtetërore të vendosej si burimi i vetëm i të vërtetës për adresat në Shqipëri. Rezultati i kësaj është që ne ndërtojmë një ekositem, që ky ekosistem duhet shkëmbyer këtë informacion adresash me të gjithë sistemet e Republikës së Shqipërisë, shtetasit tanë në kuptimin e mirë të fjalës, do të bombardohen me adresë të saktë, sesa të përdorin adresa me pallatet me ngjyra. Ky ligj është hapi i dytë, progres i të parit. Presim një ekosistem që vetëmbahet dhe mirëmbahet, sesa të bëjmë fushata për të gjetur se ku ndodhen njerëzit”.

Deputetja socialiste Antoneta Dhima, relatore e pr/ligjit, tha se këto ndryshime ligjore sjellin zgjidhjen e problemit të sistemit të adresave në Shqipëri. “Aplikohen sanksione të forta ndaj bashkive që s’do menaxhojnë këtë proces. Po ashtu krijohet kodi unik i adresës”, tha Dhima, duke kërkuar miratimin e ndryshimeve ligjore. Në fund të diskutimeve, pr/ligji për “Për sistemin e adresave” u miratua nen për nen dhe në tërësi dhe kalon në Kuvend të enjten.

Në vijim pati diskutime edhe për pr/ligjin e Gjendjes Civile.

Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani tha se duhen zgjidhur gabimet e Gjendjes Civile, pa detyruar qytetarin të shkojë në gjykatë.

“Gabimet që janë bërë nga punonjësit e Gjendjes Civile, probleme që kanë ardhur si rezultat i neglizhencës, paaftësisë, që kanë bërë gabime në të dhënat e gjeneralitetin e të dhënave të shtetasve shqiptarë. Qytetarëve u është dashur të shkojnë në Gjykata. U ka kushtuar qytetarëve shqiptarë, që veç kostos financiare, ka dhe kosto kohore. Dhe ka qenë gabim i punonjësit të administratës civile. Ne kemi kërkuar të përfshihen në këtë pr/ligj dhe disa ndryshime, amendamente. Për të gjithë ato qytetarë që u janë kryer dëme për shkak të gabimeve të kryera në gjendjen civile, në emër mbiemër, vendlindje, gjeneralitetet që i duhen, të zgjidhen nga zyra e gjendjes civile, jo t’i drejtohen gjykatës. Në pikën 5, neni 4, thuhet se 1 ose shumë familje kanë të drejtë të banojnë në një banesë ku plotësohen një sipërfaqe e caktuar. Do doja të dija, sa është për metër katror një banesë për të jetuar? Çfarë bën shteti kur ka familje që jetojnë në një dhomë me kuzhinë, një çift me 5-6 kalamaj?” – tha Dogjani.

Vangjush Stavro, drejtor i përgjithshëm i Gjendjes Civile tha se për gabimet e Gjendjes Civile, “kemi përcaktuar në nenin 15, kemi lejuar një shteg ligjor që Drejtoria e Arkivës dërgon një vërtetim për të saktësuar këto gjeneralitete. Për aktet është një tjetër gjë. Dokumenti nënshkruhet nga nëpunësi dhe personi, në atë rast kur ka nënshkrim të aktit nga të dyja palët, atëherë duhet me patjetër gjykata”, tha Stavro.

Besmir Beja, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, u shpreh se për ndërrimin e adresës së banesës, pra shqetësimi për lëvizjen e zgjedhjeve, “ky standard i ri nuk lejon transferimin e një familje tek një banesë tjetër, kur nuk plotësohen disa standarde. Nëse familja këto elementë, pra zhvillohet dhe jeton në ato elementë, nuk ndalohet, por transferohet në një banesë tjetër ku nuk plotëson sipërfaqen minimale, i ndalohet transferimi”.

Deputeti i PD, Lefter Gështenja u shpreh se “përveç të dhënave personale të shtetasve shqiptarë me leje qëndrimi, apo status refugjati me vendqëndrim në Shqipëri, që regjistrohen në regjistrin kombëtar, pra në gjendjen civile, nga ka ardhur kjo kërkesë? Si është vepruar deri më sot? A i hap rrugën ky ndryshim ligjor regjistrimit të emigrantëve për t’u përdorur për zgjedhje nga ana juaj?”.

Zv/ministri i Brendshëm tha se, “nëse për të huajt, për ata që kanë përfituar statusin e refugjatit etj., duhet të kemi parasysh, që votues është ai që ka nënshtetësinë shqiptare. Këta shtetas, edhe nëse janë në Gjendje Civile dhe nuk janë shqiptarë, dhe nuk bëhen votues”.

“Të kuptojmë konceptin e hallit që keni. Votues është ai që ka nënshtetësinë shqiptare. Regjistrimin në regjistrin kombëtar nuk të bën shtetas shqiptar, por je pjesë e statistikave dhe informacioneve të tjera. Kërkesa ka ardhur nga shoqatat dhe grupet e ndryshme të interesit dhe nga detyrimet e BE”, thekson Mahila.

Në fund të diskutimeve edhe ky pr/ligj mori dritën jeshile të Komisionit për Sigurinë Kombëtare.

/r.e/

Komisioni per Sigurine Kombetare, Foto: Florian Abazaj 1 nga 3

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›