Siguria në Kosovë, e brishtë

Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së të premten kanë kërkuar nga mekanizmat e sigurisë të ndërmarrin masa në ruajtjen e stabilitetit të vendit si dhe mbajtjen e rendit dhe ligjit në Kosovë. Kjo kërkesë është bërë gjatë takimit të së premtes, në të cilin është diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në Republikën e Kosovës.
Kryetari i këtij komisioni, Ahmet Isufi, ka vlerësuar se siguria në Kosovë është e brishtë për shkak të mospranimit të marrëveshjes së dialogut Kosovë - Serbi. “Mospranimi i marrëveshjes i obligon institucionet tona të sigurisë të jenë në nivel të detyrës si dhe marrje përgjegjësish rreth situatës së sigurisë, sepse sa herë kemi pasur obstrektuvitet në çështjet politike që kanë pasur të bëjnë me Serbinë, për Kosovën ka pasur tendenca destabilizimi”, ka thënë Isufi. Në këtë kontekst, ai e ka porositur delegacionin e Kosovës të jetë këmbëngulës në qëndrimet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. “Konsideroj se obligim i delegacionit të Kosovës është ta mbajë qëndrimin në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Delegacioni i Kosovës duhet të jetë këmbëngulës që Serbia të heqë dorë nga territori i Kosovës, në mënyrë që jeta e qytetarëve të Kosovës të zhvillohet normalisht”, ka deklaruar Isufi, shkruna Epoka e Re.
Ndërkohë, nënkryetari i këtij komisioni, Rexhep Selimi, situatën e sigurisë në vend e ka vlerësuar të keqe dhe të tensionuar. “Brenda kufirit të Kosovës vazhdon të mbetet Serbia, jo vetëm në pjesën që tashmë e kontrollon Qeveria, por edhe në pjesët e tjera të kufirit”, është shprehur Selimi, duke e ilustruar këtë me arrestimin e dy shqiptarëve nga xhandarmëria serbe.
“Strukturat ilegale të sigurisë se Serbisë në Kosovë vazhdojnë ta mbajnë situatën të ndërlikuar e të tensionuar. Krimi i organizuar vazhdon ta përkeqësojë situatën e sigurisë në Kosovë. Këtë e mundëson keqmenaxhimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka thënë Selimi. Më tutje, ai ka thënë se një ndër hapat drejt përmirësimit të situatës së sigurisë do të ishte shkarkimi i ministrit Rexhepi. “Punën më të vogël Qeveria e Kosovës që do të ndërmerrte është shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme”, ka thënë Selimi.
Kurse anëtari i komisionit, Anton Çuni, ka thënë se delegacionit të Kosovës duhet t’ia rikujtojë Marrëveshjen e Kumanovës së vitit 1999, e cila parasheh që Serbia t’i largojë të gjitha strukturat e saj nga Kosova. “Tani i kemi të gjitha faktet se strukturat legale të Serbisë, të cilat gjenden brenda territorit të Kosovës, duhet të jenë objekt interesimi i KFOR-it, EULEX-it dhe të qarqeve politiko-ushtarake ato të NATO-së të cilat kanë marrë përsipër që këtë marrëveshje të zbatojnë në tërësi”, ka deklaruar Çuni.
Ndërsa anëtari tjetër i komisionit, Fatmir Xhelili, ka vlerësuar se situata në vend nuk është e rrezikshme, por është stabile. Incidentet e kohëpaskohshme ai ka thënë se kanë qenë të parashikueshme për periudhën kohore të zhvillimit të negociatave. “Në proces të bisedimeve, shpeshherë disa njerëz për qëllime të brendshme apo të mosnjohjes së situatës shfaqin shumë pesimizëm në relacion me ardhmërinë e shtetit tonë. Por, në qoftë se kthehemi në retrospektivë dhe shohim prej Rambujesës e këndej, ekipi ynë gjithherë ka gjetur zgjidhje dhe ka dalë fitimtar. Tash jemi në proces të bisedimeve, duhet pritur përfundimin e atyre bisedimeve për të vlerësuar nëse janë të mira apo nuk janë të mira”, ka theksuar Xhelili./Indeksonline/