Siguria në komunikimet elektronike
Gjithnjë e më shumë, legjislacioni shqiptar po plotësohet e përmirësohet për të garantuar komunikime elektronike të sigurta dhe privatësi të pacenuar. Vëmendja tani është jo vetëm mbi transmetimin, por, edhe mbi administrimin e të dhënave, konkretisht ruajtjen, përdorimin dhe përpunimin e informacionit. Baza ligjore për trajtimin e informacionit në Shqipëri përfshihet në Ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, Ligjin “Për nënshkrimin elektronik”, amendimet e Kodit Penal me “Ligjin për Krimin Kibernetik”, Ligjin “Për komunikimet elektronike”, Ligjin për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror” dhe së afërmi, Ligjin “Për bazën e të dhënave”.
Paralel me ligjet, subjektet private dhe shtetërore hartojnë udhëzime dhe praktika, e që ato të jenë efikase, nevojitet një analizë e hollësishme mbështetur në përgjigjen e disa pyetjeve, siç janë:
* sa të sigurta janë komunikimet elektronike brenda dhe jashtë institucionit;
* sa të mbrojtur janë punonjësit apo klientët në komunikimin elektronik;
* sa të mbrojtura janë të dhënat që qarkullohen;
* çfarë rregullash dhe procedurash janë aplikuar për të mbrojtur të dhënat në institucion, e njëkohësisht për të mbrojtur privatësinë;
* çfarë garancish ka që mbrojtja e të dhënave brenda institucionit të aplikohet në mënyrë të barabartë dhe jo të diferencuar.
Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë hapi i parë për identifikimin e nivelit të mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë që duhet implementuar në një institucion shtetëror apo firmë private. Krijimi i sistemeve mbrojtëse, nga të cilët do të varet siguria e komunikimeve dhe informacionit kushtëzon suksesin ose dështimin e një tërësie rregullash, kapacitetesh njerëzore, teknike dhe financiare që investohen nga subjekte shtetërore dhe private për të siguruar një impakt pozitiv në biznes apo administrim. Garantimi i informacionit krijon kushtet me te mira për shërbime, vendimmarrje dhe te ardhura me te larta. Cilësia e lartë e shërbimit dhe respekti për privatësinë duhet të jenë arsyeja kryesore e hartimit të rregullave dhe procedurave që sigurojnë mbrojtjen më të mirë të mundshme të informacionit, dhe jo detyrimi ligjor apo frika për pasoja ligjore dhe financiare në rastet kur cenohet punonjësi apo klienti. Sistemet që ndihmojnë në menaxhimin e të dhënave elektronike, njëkohësisht ndikojnë edhe në procesin vendimmarrës. Krijimi i memories institucionale, ku ruhet i sigurt çdo dokument, vendim apo e-mail, dhe përdorimi lehtësisht i tyre, maksimizon objektivitetin e vendimmarrjes dhe lehtëson analizat mbi vendimet që konsiderohen të drejta, jo aq të drejta ose të gabuara. Një sistem i sigurt komunikimi elektronik ndikon edhe në rritjen e të ardhurave tek bizneset sepse, zvogëlon humbjet nga ndërprerjet e punës ardhur nga problemet me informacionin dhe eviton rrezikun që partnerët në biznes të fusin në listën ”e zezë” një subjekt shtetëror apo privat si rezultat e mungesës së sigurisë. Kjo është shumë ndjeshme në sistemin bankar, në qoftë se, klienti me çfarëdo lloj potenciali nuk është i sigurt që të dhënat e tij personale do të jenë aksesuar nga persona të paautorizuar apo përdorur pa pëlqimin e tij, atëherë ai do të gjejë atë partner që do të plotësoje ato kërkesa. Sot, përgjithësisht jemi kthyer në një shoqëri që “ecën” dhe “mendon” në mënyrë elektronike, por rreziku për privatësinë që mund të ndeshet në çdo klik (click) është “taksa” që duhet të paguajmë. Në garën pa limit janë sot elita e IT në botë me “elitën” të ashtuquajturve Hackers, që quhen personat që depërtojnë tek kompjuterët e të tjerëve për qëllime kryesisht jo të mira. çdo kompjuter, flash drive, CD, smartcard, celular etj, mund të jetë objekt sulmi. Ngado që të vijnë pasojat, nga pakujdesia apo gabimi njerëzor, të dhënat e rëndësishme personale apo të një biznesi, duhet të garantohen në mënyrën me të mirë të mundshme. Aktualisht në treg gjenden shumë mjete për mbrojtjen e informacionit, një ndër ato është kriptografia e përfshirë në certifikatën elektronike. Nënshkrimi elektronik që buron nga certifikata elektronike, garanton identitetin e palëve të përfshira në komunikim, por, njëkohësisht garanton se, informacioni nuk është alternuar gjatë rrugës në rrjet apo gjatë qëndrimit në vendet e ruajtjes së të dhënave. Nënshkrimet elektronike kanë një përdorim të favorshëm, transportohen lehtë, nuk kopjohen dhe njëkohësisht garantojnë konfirmimin se një mesazh i pajisur me nënshkrim elektronik është dërguar/marrë. Por, informacioni dhe privatësia nuk mund të mbrohen me një mjet të vetëm. Kombinimet që përfshijnë të gjithë sistemin, duke filluar nga ofruesit e shërbimit të internetit (ISP), rrjetet e brendshme të institucioneve shtetërore apo private, vendet e ruajtjes së të dhënave, pajisjet etj. duhen mbrojtur në uniformitet me rregulla që bazohen në ligje të krijuara në përshtatje me kërkesat e përditshme të zhvillimeve të teknologjisë së komunikimeve. Ato sigurojnë strukturën përkatëse që mbështet strategjitë e miratuara nga institucionet e ngarkuara posaçërisht me sigurimin e informacionit. Këto strategji duhet të hartohen dhe të aplikohen nga specialistet më të mirë të fushës, në mënyrë që të jenë para në kohë dhe të zbatuara në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë strukturën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve. Vetëm atëherë përdoruesi i sistemeve elektronike do ta konsiderojë veten të vlerësuar sepse, pjesë të rëndësishme të veprimtarisë, siç është komunikimi apo e drejta e privatësisë janë nën mbrojtje profesionale dhe të garantuara nga çdo ndërhyrje jashtë vullnetit të tij.
*Autori i shkrimit është Drejtor i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik