Siguria në plazhe, masa të shtuara në Pogradec me nisjen e sezonit turistik

Me nisjen e sezonit të verës, në Pogradec janë shtuar masat për garantimin e sigurisë së pushuesve, veçanërisht në zonat breg liqenore. Policia Kufitare ka rritur patrullimet me mjete ujore dhe tokësore, ndërsa këtë vit janë shtuar edhe dronët për monitorimin e kufirit liqenor dhe parandalimin e incidenteve, sidomos atyre që lidhen me përdorimin e motorëve të ujit.
“Këtë vit ende nuk kemi kërkesa të motorëve të ujit, por vendbazimi për to është bërë gati gjithashtu edhe korridoret hyrëse-dalëse”, u shpreh Entela Karafili, Drejtore e Tatim-Taksave në Bashkinë Pogradec.
Bashkia e Pogradecit ka vendosur sinjalistikën e nevojshme për të ndarë zonat e lundrimit nga ato të notit, si dhe vëzhgues të vijës liqenore në plazhet publike. Karafili, thekson se masat janë marrë më herët në bashkëpunim me task-forcën dhe me Policinë Kufitare, për të garantuar sigurinë gjatë gjithë verës.
“Kemi vendosur rrethimet, bovat e thellësisë, rojet e plazhit në pjesët kryesorë të Pogradecit”, tha ajo.
Falë gatishmërisë së strukturave, tre ditë më parë u shpëtuan dy peshkatarë që u zunë nga një stuhi e papritur. Monitorimi dhe kontrolli do të vijojnë në të gjithë segmentin shqiptar të Liqenit të Ohrit deri në përfundim të sezonit turistik.
Gazetare: E. Xhindole
/rtsh.al/