E Hënë, 2 Nëntor 2026

Siguria në plazhe, përcaktohen 10 vendbazime për mjetet lundruese nga Tale në Shëngjin

Teksa sezoni turistik në Lezhë ka nisur zyrtarisht, siguria në plazhe  angazhon institucionet përgjegjëse në detyra të shumta për të ofruar pushime të qeta dhe pa incidente.

Marrë shkas edhe nga rasti më i fundit, ku në ujërat shqiptare një shtetas britanik humbi jetën pas një aksidenti me Jet Ski, bashkia Lezhë shprehet se monitorimi i mjeteve lundruese do të jetë i vazhdueshëm, ndërsa përgjatë vijës bregdetare nga Rana e Hedhur deri në Tale, ka përcaktuar 10 vendbazime për mjetet lundruese.

“Janë 1 në Ranën e Hedhur, 6 në Shëngjin dhe 3 në Tale. Bashkia bën vetëm përcaktimin e vendbazimeve dhe ruajtjen e sigurisë pranë tyre, ndërsa për lejen e mjeteve lundruese merret Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe i monitoron në bashkëpunim me Policinë Kufitare”, tha nënkryetar i bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi.

Nga ana tjetër, operatorët turistikë e konsiderojnë situatën aktualisht të qetë, por apelojnë për vigjilencë dhe praninë e vazhdueshme të autoriteteve përgjatë gjithë sezonit veror.

“Nuk kemi pas shqetësime serioze. Edhe qytetarët po tregohen më të kujdesshëm se vitet e tjera”, u shpreh Brahim Laku, operator turistik.

Por ndërsa pushteti vendor ka për detyrë caktimin e vendqëndrimeve dhe ruajtjen e sigurisë pranë tyre, leja e mjeteve lundruese jepet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit që, së bashku me Policinë kufitare, bën edhe monitorimin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›