Të moshuarit në fokus të planveprimit 2025–2030: Objektiv rritja me 50% e pensionit mesatar

Qeveria shqiptare parashikon që pensioni mesatar në vend të rritet me 50 për qind deri në vitin 2030.
Sipas “Dokumentit politik për moshimin dhe planin e veprimit” të miratuar nga qeveria, një nga objektivat strategjikë të ekzekutivit do të jetë mbrojtja ekonomike dhe sociale e të moshuarve në nevojë, për një jetë më dinjitoze të personave mbi 60 vjeç.
Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2024 pensioni mesatar mujor për mbi 500 mijë pensionistë të qytetit ishte 18.341 lekë, ndërsa pensionistët në zonat rurale u shpërblyen me 11.051 lekë/muaj. Vetë kryeministri Edi Rama ka deklaruar synimin për një pension minimal deri në 200 euro, ndërsa pensioni mesatar të arrijë në 400 euro në fillim të dhjetëvjeçarit të ardhshëm.
Mbi 95 për qind e buxhetit të parashikuar do të shkojë për të garantuar pavarësinë financiare të kësaj kategorie. Përveç kësaj, janë parashikuar investime të rëndësishme në shërbimet shëndetësore dhe sociale, përfshirë ngritjen e kapaciteteve geriatrike, dhe ndërtimin e qendrave të rehabilitimit dhe rezidenciale për të moshuarit.
“Zhvillimi i politikave për rritjen e të ardhurave për pensionistët, i cili në totalin e shpenzimeve zë më shumë se 95% të totalit të shpenzimeve me tregues kryesor rritjen e masës së pensioneve 50% (duke u nisur nga pensioni mesatar i deklaruar nga të dhënat e ISHSH. Ky aktivitet kryesisht mbulohet nga buxheti i shtetit për përmirësimin e politikave të pensioneve“, thuhet në dokument.
Plani i veprimit 2025–2030 parashikon rritjen graduale të viteve të kontributit nga 35 në 40 deri në vitin 2025, si dhe një rritje progresive e moshës së pensionit për gratë deri në 63 vjeç në vitin 2032 dhe për të dyja gjinitë deri në 67 vjeç në vitin 2056.
“Reforma e pensioneve në Shqipëri, e iniciuar në vitin 2014, synoi përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare dhe drejtësisë sociale në sistemin e sigurimeve shoqërore. Ndryshimet kryesore përfshinin rritjen graduale të viteve të kontributit nga 35 në 40 deri në vitin 2025, si dhe rritjen e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Pas këtij viti, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç për të dy gjinitë në vitin 2056“, nënvizohet në dokument.
Në plan është edhe një politikë për ndërgjegjësimin e shoqërisë për plakjen aktive dhe parandalimin e vetmisë, me masa konkrete dhe buxhet të veçantë.
Megjithatë, dokumenti thekson nevojën për rishikim të kostove dhe mbështetje të mëtejshme ligjore dhe financiare, duke përfshirë bashkëpunimin me bashkitë dhe donatorët ndërkombëtarë.
Sipas relacionit shpjegues, kostoja e parashikuar për zbatimin e Planit të Veprimit për periudhën 2025–2030 është rreth 1.055 miliardë lekë. Efekti më i madh financiar pritet të përqendrohet në garantimin e një standardi jetese më të mirë për të moshuarit, përmes rritjes graduale të pensioneve dhe reformave strukturore në sistemin e sigurimeve shoqërore.
Këto masa janë pjesë e një qasjeje më të gjerë për një sistem më të drejtë dhe të qëndrueshëm, duke reflektuar nevojat e një shoqërie që po plaket me ritme të shpejta.
Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
/rtsh.al/