E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria në trafik, shtohen patrullimet

Në vazhdën e intensifikimit të punës mbi forcimin e ligjit të sigurisë së trafikut rrugor dhe edukimin e pjesëmarrësve në komunikacion, Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës, ka planifikuar ndërmarrjen e një sërë veprimesh në ngritjen e sigurisë së pjesëmarrësve në trafik.

“Marrë për bazë rritjen e konsiderueshme të numrit të kundërvajtësve dhe fluksin shtuar të automjeteve, njësitë policore në rajonin e Mitrovicës, do të ndërmarrin masat e nevojshme të shtimit të patrullimeve dhe vendosjen e pikave të kontrollit në rrugët të cilat konsiderohen si lokacione më të prekura nga aksidentet në trafik”, ka deklaruar kapiten Besim Hoti, zëdhënës rajonal i Policisë në Mitrovicë.

Fluksi i madh i automjeteve, motoçikletave, biçikletave dhe këmbësorëve, mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, bllokimi i trotuareve dhe vendeve të dedikuara për këmbësor, konsiderohen ndër faktorë kyç të shtimit të numrit të aksidenteve në trafik.

Është vlerësuar si e nevojshme që zyrtarët policor të trafikut rrugor së bashku me njësitë policore të stacioneve lokale, të shtojnë aktivitetet e tyre për menaxhimin sa më profesional të trafikut dhe ndërmarrjen e masave operacionale për identifikimin dhe evitimin e të gjitha pengesave eventuale të cilat kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve dhe ngritjen e sigurisë në komunikacion.

Njësitë policore do të shtojnë prezencën dhe patrullimet e tyre në rrugët magjistrale dhe rajonale si dhe në rrugët lokale./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›