E Martë, 3 Nëntor 2026

Siguria ushqimore, Denaj: Përmirësim i sistemeve të gjurmueshmërisë dhe kontrollit

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj deklaroi sot se të gjitha sistemet e gjurmueshmërisë dhe kontrollit të produkteve ushqimore do të përmirësohen në vijim.

Në një intervistë televizive, Denaj foli për sigurinë ushqimore në vend dhe konkretisht për rastin e një ngarkese me fileto pule, të cilat janë konstatuar me salmonelë dhe që janë futur në tregun shqiptar.

Denaj tha se “në rastin konkret, baza e riskut që vlerësohet në drejtorinë e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit bëri që me marrjen e një mostre dhe një analize, të evidentojë te një ngarkesë dhe në mënyrë të menjëhershme u realizua gjurmueshmëria, por u gjendëm përpara disa vështirësive dhe për këtë arsye e referuam rastin në Prokurori. Në asnjë mënyrë nuk reshtim të japim informacion, sepse informacioni duhet të jetë për publikun një instrument qetësie dhe sigurie, por në raport me sasitë të cilat spekulohen në media, unë do të doja të flisnin organet të cilat e kanë këtë proces në gjurmueshmëri dhe këtu janë më shumë sesa një, më shumë sesa Ministria e Bujqësisë, por njëkohësisht të garantojë që pjesa e gjurmueshmërisë është edhe për të tërhequr gjithë produktin nga tregu dhe për të mos lejuar konsumin e tij”.

Ministrja Denaj vuri në dukje se raste të tilla të ngjashme e vënë institucionin që drejton përpara përgjegjësisë për të ndryshuar disa organizime të brendshme.

“Masat parandaluese, përtej të tjerave, janë edhe në përdorimin e ushqimit të sigurt në konsum ku lexohet etiketa, ku vleftësohet blerja e produktit të sigurt në markete, por raste të tilla të ngjashme na vënë përpara përgjegjësisë për të ndryshuar disa organizime të brendshme, dhe unë dua të theksoj që një nga organizimet e brendshme është një rritje e ndërgjegjësimit të Inspektoratit, në rastin konkret të AKU-së, por jo vetëm, në reagim të menjëhershëm që në momentin e parë dhe riorganizimi i inspektorateve që është në frymë të një ligji të ri të aprovuar në shtator të vitit të kaluar në Parlamentin e Shqipërisë, besoj që të gjitha sistemet e gjurmueshmërisë dhe kontrollit do t’i përmirësojmë në vijim”, theksoi Denaj.

Ka debate pafund për këtë çështje, shtoi Denaj, që kërkon më shumë kohë për ta shpjeguar, AKU dhe shumë institucione të inspektoratit tani që do të bashkohen, krijojnë punën e tyre në bazë të sistemeve, kontrollit dhe gjurmueshmërisë, rrisin në mënyrë të padiskutueshme dhe përafrojnë më shumë këto metodika me ato të Bashkimit Europian.

Ministrja Denaj foli edhe mbi projektin e decentralizimit të funksioneve.

“Ne po punojmë për një decentralizim të funksioneve, pasi shumë nga agronomët nuk ka pse të jenë më në ministri, duhet të jenë afër fermerëve dhe pranë bashkive, ky është një projekt që e kemi me ministrin Mazniku dhe besoj që vitin tjetër e finalizojmë jo vetëm në katër bashki pilot për gjithë Shqipërinë dhe i gjithë këshillimi ndodh aty ku është fermeri dhe jo në ministri dhe drejtori rajonale dhe njëkohësisht infrastruktura në mbrojtje të tokës bujqësore, ajo që ruan tokën bujqësore nga përmbytjet dhe infrastruktura që shton ujitjen dhe kullimin”, tha Denaj.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›