E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: Tatimi i kompanive të mëdha mbi fitimin, i nxituar

Ekspertët e ekonomisë e cilësojnë ndryshimin e tatimit të kompanive të mëdha si të nxituar. Sipas tyre, rritja e tatimit mbi fitimin kërcënon investimet e huaja. Në të njëjtën kohë, ekspertët mendojnë se ligji në fjalë për kompanitë me fitim të madh do të prekë drejtpërsëdrejti bizneset e sektorëve strategjikë të ekonomisë vendase, si bankat dhe shoqëritë e telekomunikacioneve, që nga ana tjetër janë edhe ndër investitorët më të rëndësishëm privatë në vend. Ata gjykojnë se propozimi i qeverisë për të tatuar biznesin e madh në mënyrë progresive në raport me fitimin është i nxituar dhe krijon pasiguri tek investitorët e rëndësishëm. Sipas tyre, taksa e sheshtë ka rezultuar si një reformë e suksesshme dhe thyerja e parimit të saj për hir të interesave afatshkurtra është një gabim.

Rritja e tatimit për kompanitë më fitimprurëse është një masë selektive dhe një arnim i sistemit aktual fiskal. Anastas Angjeli, ish-ministër i Financave dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, thotë se një masë e tillë diskriminon sektorë të veçantë të ekonomisë dhe mund të nxisë evazionin fiskal. Sipas tij, rritja e tatim-fitimit për bizneset më rentabël shënon tërheqjen e qeverisë nga taksa e sheshtë. Angjeli shprehet se një kthim tek taksimi progresiv do të kërkonte një ristrukturim të plotë të sistemit fiskal aktual.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›