E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimi i automjeteve, si ndryshon formula

TIRANE - Kompanitë e sigurimeve kanë përgatitur një seri ndryshimesh në kuadrin rregullator përmes të cilit përcaktohen tarifat e sigurimit të automjeteve. Ndryshimet e propozuara nga kompanitë vijnë në një çast kur Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare po punon për ndryshimin e kuadrit rregullator që përcakton tarifat e sigurimeve të automjeteve, ku do të përfshihen elementë si vendndodhja e mjetit, lloji ose fuqia e tij motorike, mosha dhe gjinia e drejtuesit, apo historiku i tij i dëmeve. Mbi këtë draft, i cili së shpejti do të çohet për miratim në Kuvend, kanë propozuar ndryshimet e veta edhe kompanitë e sigurimeve. 

Propozimet e kompanive
Një prej ndryshimeve që propozojnë kompanitë ka të bëjë me të drejtën e përdorimit të një automjeti nga disa persona. Kompanitë propozojnë në draftin e tyre, që në çdo rast kur një mjet kërkohet të përdoret jo vetëm nga pronari, por edhe nga të tjerë (për shembull familjarët e zotëruesit të makinës), diçka e tillë të bëhet e mundur vetëm pas një autorizimi me shkrim të lëshuar nga shoqëria ku është siguruar automjeti. Një ndryshim tjetër i propozuar nga kompanitë për t'u përfshirë në draft ka të bëjë me limitin e përgjegjësisë, në rastin kur dëmet shkaktohen nga mjete të pasiguruara. E shprehur në terma praktikë, kur një mjet i pasiguruar aksidenton një mjet të siguruar, ky i dyti përfiton nga shoqëria vetëm 50% të shumës së dëmshpërblimit dhe jo 100% të saj. Një ndryshim tjetër i propozuar nga kompanitë ka të bëjë me bashkëfajësinë në aksident. Në rast se një mjet i siguruar, por me mangësi në dokumentacion aksidentohet (mangësi që kanë të bëjnë me mungesën e kolaudimit të mjetit, apo me dokumentacion të paplotë), do të përfitojë përsëri vetëm 50% të shumës nga kompania ku është siguruar, pasi do të konsiderohet bashkëfajtor në aksident. I njëjti parim vlen edhe nëse drejtuesi i automjetit në fjalë, në çastin e aksidentit nuk ka vendosur rripin e sigurimit, apo shkel rregulla të ndryshme të kodit rrugor.
AMF
Shumë shpejt kuadri ligjor i sigurimit të automjeteve do t'i nënshtrohet një reforme të thellë, e cila do të sjellë një koncept tërësisht të ri për mënyrën si do përcaktohen tarifat që do paguhen nga drejtuesit e mjeteve. Çmimet e sigurimeve nuk do të përcaktohen më përmes paketave fikse nga kompanitë, por do të duke marrë parasysh një sërë elementesh të reja, siç janë vendndodhja, lloji i mjetit ose fuqia e tij motorike, mosha dhe gjinia e drejtuesit të automjetit si dhe sistemi bonus/malus (ka të bëjë me historikun e drejtuesit, nëse ka kryer pak aksidente përfiton ulje tarife, në të kundërtën paguan çmim më të lartë). Kuadri i ri ligjor është aktualisht në përpunim e sipër nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës Botërore dhe ndryshimet pritet të implementohen në treg së afërmi.
4 komponentët e çmimit
Paketa e re i kushton vëmendje të veçantë vendndodhjes së mjetit, që do të thotë se në qytetet me frekuencë më të shpeshtë aksidentesh është normale që shoferët të paguajnë më shumë për t'u siguruar. Statistikat në vend kanë treguar që frekuenca të larta në dëme ka në prefekturën e Tiranës, Durrësit, Vlorës, për faktin se edhe numri i mjeteve që qarkullojnë është shumë i lartë krahasuar me rrethet e tjera. Kjo do të bëjë që ky komponent të jetë më i lartë në këto zona, krahasuar me qytetet ku ndodhin më pak aksidente. Mosha e drejtuesit të mjetit do të jetë një faktor me peshë në përcaktimin e çmimit, duke qenë se janë të rinjtë përgjegjës për numrin më të madh të aksidenteve. Ndërkaq, edhe gjinia është një faktor tjetër që do të marrë peshë në kuadrin e ri ligjor duke qenë se siç dihet, femrat shkaktojnë shumë më pak aksidente se meshkujt. Ndërkohë që vlerësohet se elementi më i rëndësishëm në llogaritjen me bazë risku të primeve të sigurimit TPL është principi bons/malus, ose historiku i dëmeve ku drejtuesi i mjetit ,i cili është fajtor do të penalizohet duke iu përgjigjur me mjete monetare për pasojat e aksidentit të shkaktuar, duke iu rritur çmimi i sigurimit në vitin pasardhës dhe anasjelltas. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›