E Diel, 1 Nëntor 2026

Sikorski ne Tirane ministri polak vlereson 8 Majin

Vetëm pak kohë pas marrjes se presidencës të Bashkimit Europian, Polonia do të mbështesë fuqishëm integrimin e Shqipërisë. Kështu u shpreh Ministri i Jashtëm polak, Radostav Sikorski në vizitën e tij zyrtare në Tiranë, ku pati dhe një takim me homologun e tij Haxhinasto. I pyetur nga mediat mbi procesin zgjedhor, Sikorski u shpreh se deri më tani janë plotësuar kushtet, ndërsa ende nuk ka pasur ankesa nga vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve.

“Ajo që mund të them nga vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve është se metodat janë korrekte, transparente dhe nuk kemi parë vërejtje. Gëzohem shumë kur mësoj se ODHIR deri më tani nuk ka vërejtje për procesin zgjedhor”-tha Sikorski.

Zyrtari polak tha se do të mbështese integrimin europian të Shqipërisë, por duke kërkuar plotësimin e kushteve, një prej të cilave mbetet dhe mbarëvajtja e procesit zgjedhor.

“Kur Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat, atëherë 3 javë më vonë do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, por sikundër ju e dini, këto procese nuk lidhen me data konkrete por me plotësimin e kushteve. Në momentin që Shqipëria do t’i plotësojë ato, atëherë nuk do të ketë asnjë vonesë. Këtë e them me plot bindje”-tha ai.

Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë pati takime zyrtare dhe me kreun e shtetit, Bamir Topi si dhe me kryeministrin Berisha, takime në të cilat u sigurua bashkëpunimi dypalësh ndërmjet vendeve për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Jul Kasapi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›