Simon Zereci emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës

Simon Zereci është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, duke mbajtur gradën Drejtues Madhor.
Zereci është lindur në Tiranë dhe ka përfunduar shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, ndërsa më pas ka ndjekur studimet e larta në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në specialitetin “Gjithëarmësh”.
Karrierën ushtarake ai e nisi në vitin 1986 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, ku shërbeu fillimisht si komandant toge në Repartin Ushtarak Zadrimë dhe më pas në detyra të tjera si shef stërvitjeje.
Në vitin 1988 iu bashkua Gardës së Republikës, ku ka mbajtur një sërë funksionesh, përfshirë komandant toge, specialist për ruajtjen fizike në Drejtorinë e Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore, komandant në njësinë operative, zëvendëskomandant i kompanisë operative, si dhe oficer shoqërues pranë strukturave të mbrojtjes së personaliteteve të larta shtetërore.
Që nga viti 2013 e në vijim, Zereci ka shërbyer si komandant i Njësisë Speciale në Gardën e Republikës.
Gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake, ai është vlerësuar për përkushtim dhe profesionalizëm të lartë. Në shtator të vitit 1998, Zereci është plagosur gjatë shërbimit, teksa mbante detyrën e zëvendëskomandantit të kompanisë operative.
Ai ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë, përfshirë kurse për mbrojtjen e personaliteteve (VIP) në Egjipt, trajnime me instruktorë amerikanë për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore, si dhe programe ndërkombëtare të sigurisë dhe trajnime në teknikat e vetëmbrojtjes “Krav Maga Maor”.
/rtsh.al/