Trukimet e ndeshjeve. Gjykata e Bokumit: Janë trukuar takime të eliminatoreve të Botërorit 2010
Skandali i fiksimeve të rezultateve të takimeve ka marrë përmasa të reja që nga dita e djeshme kur në Gjykatën e Bohumit u dëgjuan disa dëshmi të reja. Gjykata e qytetit gjerman, e cila po shqyrton akuzat e trukimit të 32 ndeshjeve (në total janë 270) në mbarë Evropën, dëgjoi të mërkurën dëshmitarin kyç, Marjo C, kryekoordinatorin e gjithë skemës së manipulimit në Gjermani, Belgjikë, Slloveni, Hungari dhe Zvicër. Marijo C, emri i të cilit është Ante Sapina, akuzohet për gjithë organizimin e skemës së manipulimit me lojtarë dhe gjyqtarë. Ndaj tij rëndojnë 160 akuza të ndryshme, por vetëm 60 janë faktuar. Ai tha se shumë ndeshje të trukuara i takojnë Ligës së Kampioneve, madje dhe Kupës së Botës 2010. Marijo tha dje se Lihtenshtejn-Finlandë, e vlefshme për grupin e katërt kualifikues për në Botëror (grupi i Gjermanisë), ishte fiksuar përmes gjyqtarit. “E fiksuam rezultatin përmes gjyqtarit Novo Paniç”, - u shpreh ai për ndeshjen që u luajt në Vaduz më 9 shtator të vitit 2009 dhe përfundoi 1-1. Arbitri boshnjak akordoi një 11-metërsh për Finlandën në minutën e 73-të, të cilin Litmanen e shndërroi në gol dhe ndëshkoi me të kuq Byqelin e Lihtenshtejnit (76’). Paniç ka trukuar dhe një ndeshje kualifikuese për U-21 mes Zvicrës dhe Gjeorgjisë, më 18 nëntor 2009. Ky gjyqtar është pezulluar përjetësisht nga UEFA. Një prej figurave më të rëndësishme të këtij procesi bëri të ditur se manipulimi i ndeshjeve në pjesën më të madhe të tyre bëhej nga vetë futbollistët. Ai pohoi se iniciativa për të fiksuar rezultatet nuk bëhej ashtu siç mendohet nga mbarë opinioni, nga kompanitë e basteve. “Ka shumë futbollistë që edhe sot e kësaj dite janë të interesuar për të fiksuar ndeshjet. Njëri prej tyre është mbrojtësi Tomas Sishon. 34-vjeçari që aktualisht luan në Afrikën e Jugut, në këtë kohë militonte në radhët e ekipit të Bundesligës së dytë gjermane, Osnabryk”. Sishon i ka mohuar të gjithë akuzat, por pranoi që në kohën kur luante në Gjermani, viheshin shumë baste për skuadrën e tij. “Sishon kërkoi 100 mijë euro për të trukuar ndeshjen. Tha se gjatë ndeshjeve të mbrëmjes fiksimi i rezultatit ishte më i lehtë, sepse portieri i tyre, Vesels, kishte probleme me sytë. Marijo tha se Shishon, i cili është futbollist gjerman, por me origjinë polake (nga rajoni i Silezisë), i kishte pohuar këtij të fundit se kishte eksperiencën e duhur për ta çuar deri në fund detyrën. “Sishon tha se ai ishte gati në çdo moment të ndeshjes të shkaktonte një 11-metërsh pa u kuptuar, madje këtë e arrinte që në 30 minutat e para të takimit”.