Sindi Manushi, shqiptarja e parë që zgjidhet kryebashkiake në Itali: Jam krenare për origjinën time!

31 vjeçarja me origjinë shqiptare, Sindi Manushi, e cila ka përfunduar studimet për drejtësi, është zgjedhur kryebashkiake në Pieve di Cadore, në zonën Belluno, në zgjedhjet vendore që u mbajtën të dielën në Itali.
Ajo ka lindur në Shqipëri por ka 22 vite që jeton në Itali. Corriere della Sera, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë vajzës me orgjinë shqiptare, e cila arriti një fitore, e cila nuk ishte aspak e lehtë.
Gjatë intervistës ajo shprehet se është krenare për origjinën e saj shqiptare, pavarësisht se ka një kohë të gjatë që jeton në Itali dhe ndihet tërësisht një qytetare italiane.
“Fillimisht ardhja në Itali ishte e vështirë. Vijmë nga një vend shumë i ndryshëm nga Italia dhe mbi të gjitha nga një qytet industrial, Elbasani. Lëvizja nga Elbasani në Pieve ishte një tronditje dhe mund ta imagjinoni pse. Për mua ishte një risi absolute. Përshtatja me zakonet e Pieve dhe gjuha italiane kishin disa vështërsi. Edhe pse në Shqiperi kapet sinjali i Rai, jam rritur me Tg1. Që fëmijë kam qenë gjithmonë i apasionuar pas lajmeve dhe politikës, jam rritur edhe me Carrà-n dhe Sanremon”.- nënvizon ajo gjatë intervistës.
Manushi, gjatë intervistës për median italiane, shprehet se ka qenë gjithmonë e apasionuar pas politikës dhe çështjeve publike, por nuk kishte plane që të angazhohej.
“Vetëm para disa muajsh më lindi kjo ide. Unë shoh një Pieve shumë të përgjumur dhe një strukturë sociale të dobët nga pandemia. Kemi humbur në një farë mënyre sensin e komunitetit, pasi ka më shumë individualizëm. Nuk kemi bërë premtime të mëdha. Ne duam të jemi një urë komunikimi mes Bashkisë dhe qytetarisë. Administrata ime do të bazohet tek dialogu.”- shprehet Manushi.