E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindroma tuniziane në Jemen

Të inkurajuar nga protestat në Tunizi, mijëra shtetas të Jemenit demonstruan të shtunën, duke kërkuar largimin e presidentit Ali Abdullah Saleh – që është pushtet tash 32 vjet. Nga Express më 24 janar 2011 në ora 08:30

23 milionë banorët e Jemenit – që është shteti më i varfër në botën arabe - kanë vërejtje të shumta. Qeveria konsiderohet e korruptuar, ndërkohë që kritikohet edhe për aleancën e saj me SHBA në luftën kundër Al-Qaeda’s. Paralelisht, në vend ka pak liri politike, e edhe më pak ujë të pijes.

Pavarësisht pakënaqësive, deri më tani pakkush guxonte të kërkonte haptas largimin e presidentit Saleh, kështu që ngjarjet e së shtunës paraqesin protestën më serioze kundër tij, raportoi agjencia AP.

Rreth 2,500 studentë, aktivistë dhe grupe opozitare u mblodhën në oborrin e universitetit në Sanaa, duke brohoritur slogane kundër presidentit dhe duke e krahasuar atë me presidentin tunizian, Zin Al-Abidin Ben Ali, i cili u largua nga pushteti javën e kaluar, si pasojë e trazirave gjithëpopullore në shenj revolte ndaj pushtetit të tij shumëvjeçar.

Njëri prej organizatorëve të protestës në Sanaa deklaroi se ky është vetëm fillimi, dhe se protestat s’do të ndalen deri në plotësimin e kërkesave. Sipas tij, demonstruesit do të dalin rrugëve të qytetit dhe do të shkojnë deri tek pallati presidencial, megjithëse kësaj radhe nuk guxuan ta bënin këtë. Sipas agjencisë AP, për demonstruesit do të jetë vështirë të dalin në rrugë, sepse për forcat jemenase të sigurimit, të përforcuara edhe pajisje ushtarake amerikane për luftimin e degës së Al-Qaeda’s në vend, nuk do të jenë tolerante ndaj një rebelimi të mundshëm.

Të shtunën policia shtiu me gazë lotsjellës drejt demonstruesve, 30 prej të cilëve pastaj u arrestuan.

Protestat u organizuan edhe në qytetin jugor Aden, ku gjithashtu u kërkua dorëheqja e presidentit Saleh, por edhe thirrjet e pazakonta për shkëputjen e kësaj pjese të vendit. Policia shtiu ndaj demonstruesve dhe, si pasojë, plagosi katër veta, ndërkohë që arrestoi edhe 22 të tjerë.

Që prej trazirave në Tunizi, presidenti jemenas urdhëroi uljen e tatimeve në rroga, ndërsa nga qeveria kërkoi kontrollimin e çmimeve. Saleh po ashtu urdhëroi policinë speciale që të pozicionohet n[për pjesët kryesore të kryeqytetit, dhe nëpër paralagje të tij, me qëllim të parandalimit të trazirave.

Pothuaj gjysma e popullatës së Jemenit jeton në kufi të varfërisë, me vetëm dy dollarë në ditë. Më pak se dhjetë përqind e rrugëve janë të asfaltuara. Disa dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur nga vendbanimet e mëparshme për shkak të konflikteve, dhe ata tani kanë pushtuar qytetet e vendit.

Qeveria e Jemenit po lufton kundër një dege lokale të Al-Qaeda’s, e cila strehohet nëpër pjesët malore të vendit, dhe njëkohësisht mundohet që të shuaj lëvizjen secenioniste në jug të vendi – por edhe trazirat e herëpashershme në veri të vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›