E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Në rivotimin në Mitrovicë votuan 26.76%

Nga Express më 23 janar 2011 në ora 20:20

(E plotësuar) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë e ka cilësuar të rregullt procesin e rivotimit në komunën e Mitrovicës.

Përsëritja e zgjedhjeve parlamentare në Mitrovicë bëhet pas evidentimit të parregullsive në raundin e parë më 12 dhjetor, 2010, ndërsa gjatë ditës votuesit potencialë patën mundësi ta hedhin votën e tyre në kutitë e vendosura në 31 qendra të votimit me 104 vendvotime.

Kutitë e votimit u mbyllën, siç ishte parashikuar, në orën 19:00, ndërsa brenda periudhës 14-orëshe thuhet se kanë votuar 23,238 votues apo 26.76% e numrit total të personave me të drejtë vote.

"Mendoj se ky proces ka qenë jashtëzakonisht i mirë dhe pa incidente, duke pasur parasysh se kemi pasur edhe pjesën veriore dhe nuk ka pasur incidente. Në përgjithësi, ka qenë një proces i rregullt”, tha Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Daka tha se në krahasim me raundin e parë që u mbajt në 12 dhjetor, ku patën votuar 37.10% e mitrovicasve, është shënuar një rënie në pjesëmarrje.

Mbyllen vendvotimet, nis numërimi i votave

Rivotimi në komunën e Mitrovicës është përmbyllur zyrtarisht në ora 19.00, ndërkohë që drejtues të Komisionit Komunal Zgjedhor kanë thënë se procesi zgjedhor kryesisht ka kaluar i qetë dhe pa incidente.

Kryetari i KKZ-së, Gani Mikullovci, ka thënë për Kosovapress se procesi i votimit ka shkuar qetë dhe pa probleme.

Në 29 qendra me 104 vendvotime tashmë ka nisur numërimi i votave.

KQZ: Deri në ora 15:30, votuan 19.89%

Drejtues të Komisionit Qendror Zgjedhor, në konferencën e tretë për media, kanë bërë të ditur se deri në ora 15.30 në procesin e rivotimit të komunën e Mitrovicës të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 17 mijë e 267 votues, apo 19.89 për qind, ndërkaq kanë mohuar që KQZ-ja të ketë dhënë urdhër për pengimin e medieve në hapjen e vendvotimeve.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se dalja në votime është më e ulët se sa në procesin e 12 dhjetorit.

“Deri në ora 15.30 kemi gjithsej 17 mijë e 267 votues, apo 19.89 për qind. Nëse krahasojmë me zgjedhjet e datës 12 dhjetor 2010, atë ditë kemi pasur 22 mijë e 795 votues, apo 26.25 për qind, që do të thotë se kemi rënie të dalje së votuesve”, ka thënë Daka, siç transmeton Kosovapress.

Për sa i përket pengimit të medieve për përcjelljen e hapjes së vendvotimeve në orët e hershme të mëngjesit nga ana e anëtarëve të KKZ-së në Mitrovicë, Daka ka thënë se kjo çështje do të shqyrtohet pas marrjes së raporteve zyrtare në mbledhjen e radhës së KQZ-së, ndërsa ka hedhur poshtë mundësinë që pengimi i medieve të jetë bërë me urdhër të KQZ-së.

“Jo, jo. KQZ nuk jep urdhra në atë drejtim. Është e paraparë me ligj se si është qasja e medieve në vendvotime”, ka thënë Daka.

Konferenca e radhës e KQZ-së është në ora 20.00, kur do të publikohen shifrat e votuesve që kanë dalë në procesin e rivotimit në komunën e Mitrovicë

KQZ: Deri në orën 11:30 votuan 6.40%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë bëri të ditur se deri në orën 11:30 në komunën e Mitrovicës kanë votuar 5561 qytetarë me të drejtë vote, apo 6.40 për qind nga mbi 80 mijë votuesit potencialë.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se në rivotimin në Mitrovicë mund të vërehet një rënie e pjesëmarrjes në zgjedhje, nëse krahasohen shifrat e daljes në votime deri në orën 11:30 për zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit të 2010-ës.

Daka mohoi të ketë marrë informata për parregullsi eventuale apo ndonjë incident në pjesën veriore të komunës së Mitrovicës, ku, sipas saj, janë në funksion dy qendra të votimit me dy ekipe mobile.

Daka: Procesi i votimit është duke shkuar mirë

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, në konferencën e parë të mbajtur të dielën për media, ka njoftuar se të gjitha qendrat e votimeve janë hapur me kohë në Mitrovicë dhe procesi i votimit është duke shkuar në rregull.

“Të gjitha qendrat e votimit dhe vendvotimet janë hapur dhe se procesi i votimit është duke shkuar mirë. Dëshiroj të thënë se të gjithë anëtarët e këshillave të vendvotimeve të emëruar nga KQZ-ja dhe vëzhguesit e akredituar të veprojnë sipas Ligjit dhe rregullave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Daka, siç transmeton Kosovapres.

Ajo po ashtu ka falënderuar të gjithë vëzhguesit ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve në Mitrovicë.

Konferenca e radhës e KQZ-së do të mbahet në ora 13.00, ku edhe do të jepen rezultatet e parë për përqindjen e daljes së votuesve në zgjedhje.

Procesi i rivotimit në Mitrovicë fillon me kohë dhe pa probleme

Procesi i rivotimit në Komunën e Mitrovicës ka filluar me kohë dhe pa probleme në të gjitha qendrat e votimit, kanë pohuar zyrtarë të KKZ-së në Mitrovicë.

Gani Mikullovci, zyrtar i lartë komunal i zgjedhjeve, ka bërë të ditur se janë gjithsej 29 qendra të votimit me 104 vendvotime, të cilat janë hapur në orën 7 të mëngjesit, duke përfshirë edhe qendrat e votimit në pjesën veriore të qytetit, përkatësisht në Lagjen e Boshnjakëve, Kodrën e Miantorëve, fshatin Gushavc dhe në Vidimriq.

Në anën tjetër, Ismet Kryeziu nga koalicioni i organizatave jo qeveritare Demokracia në Veprim, ka thënë se vëzhguesit e këtij koalicioni do të jenë të pranishëm në të gjitha qendrat e votimit në Mitrovicë.

Sipas tij, DV do të sjellë njerëz nga e gjithë Kosova, pasi që vëzhguesit nga Mitrovica, të cilët kanë monitoruar zgjedhjet e 12 dhjetorit, janë tërhequr.

Ndryshe, në listën e votuesve në Komunën e Mitrovicës janë gjithsej 86.834 votues, përfshi edhe ata serbë, kurse pa ta 71.580. Kësaj liste sivjet i janë shtuar rreth 1.500 votues të ri.

Mitrovica, gati

Janë bërë të gjitha përgatitjet për ripërsëritjen e zgjedhjeve në komunën e Mitrovicës. Gani Mikullovci, zyrtar i lartë komunal i zgjedhjeve, ka thënë se në listën e votuesve janë gjithsej 86 834 votues, nga të cilët 71 580 shqiptarë dhe 15 254 serbë. Sipas tij, të gjitha përgatitjet e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve janë bërë dhe nuk ka pasur ndonjë problem.

Të dielën do të hapen 31 qendra të votimit, me 104 vendvotime, në kuadër të rivotimit për zgjedhjet të 12 dhjetorit, pasi që KQZ ka vendosur për përsëritje të votimit për shkak të parregullsive të shënuara në ditën e votimit.

Në pjesën veriore të Mitrovicës do të hapen katër qendra të votimit, me gjashtë vendvotime - në Lagjen e Boshnjakëve, në Kodrën e Minatorëve, në Vidimriq dhe Gushavc. Në lagjet veriore, ku jetojnë serbët, zgjedhjet do t’i organizojnë me ekipe mobile IFES’i. Nga partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje janë dërguar 728 anëtarë për këshillat e vendvotimeve dhe ata kanë të drejtë të dërgojnë edhe nga dy vëzhgues për secilin vendvotim.

Ndërkohë, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë thënë se janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme në mënyrë që procesi i rivotimit të kalojë pa problem. Zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor nuk kanë dashur të prononcohen në lidhje me këtë çështje.

“Policia e Kosovës ka hartuar të gjitha planet e nevojshme për menaxhimin e sigurisë. Për menaxhimin e sigurisë për këtë proces zgjedhor janë angazhuar rreth 500 zyrtarë policorë, të cilët do të ofrojnë sigurinë e 31 qendrave të votimit në tërë komunën e Mitrovicës. Në këtë numër të zyrtarëve policorë hyjnë të gjithë zyrtarët policorë që do të punojnë në dy ndërrime, ndërrimi i paradites dhe ndërrimi i pasdites”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Brahim Sadriu.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës presin që procesi zgjedhor të rrjedhë i qetë dhe pa probleme, por sipas tyre, për çfarëdo incidenti eventual pjesëtarët e policisë janë të gatshëm që të intervenojnë dhe mund të kërkohet ndihmë edhe nga KFOR’i.

Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë do të ndjekë nga afër procesin e rivotimit me rreth 40 ekipe.

Disa prej ekipeve të vëzhgimit do të vendosen në mënyrë statike, që do të thotë se gjatë tërë ditës do të qëndrojnë vetëm në një qendër votimi, ndërsa të tjerët do të jenë ekipe mobile, që do të vizitojnë një numër vendvotimesh gjatë tërë ditës.

Ndërkaq, koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim do të monitorojë procesin me rreth 130 vëzhgues statikë dhe 20 vëzhgues mobilë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›