E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sirena greke për Arjan Beqajn

Sezoni i jashtëzakonshëm i Arjan Beqajt nuk ka kaluar pa u vënë re. Portieri i Kombëtares shqiptare, pavarësisht se nuk është më në moshë të re, ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave të rëndësishme evropiane.

Mes tyre spikat Olimpiakos Pireu, klubi më i suksesshëm në historinë e futbollit helen, me 36 tituj kampionë, 23 Kupa të Greqisë dhe tre Superkupa.

Prej kohësh ky klub po kërkon një portier të nivelit botëror. Objektivi kryesor i helenëve ishte turku Volkan Demirel, por bisedimet për blerjen e tij ngecën dhe marrëveshja nuk mund të realizohet. Kjo ka bërë që Olimpiakos të kthejë sytë nga Beqaj dhe në ditët në vazhdim përfaqësuesit e klubit pritet të bëjnë një ofertë zyrtare tek Anorthosis.

Interesimi

“Gardiani” kuqezi shihet si zëvendësuesi i legjendarit të portës greke, Antonios Nikopolidis. Edhe pse në fillim të këtij sezoni klubi i rinovoi kontratën, 37-vjeçari që numëron 90 ndeshje me përfaqësuesen helene nuk jep më siguri.

Arjan Beqaj cilësohet si një zgjidhje perfekte për këtë problem, mbi të gjitha pas paraqitjeve në Ligën e Kampioneve. Madje, në fund të muajit gusht, në turin e fundit eliminator të Champions (ku përcaktoheshin pjesëmarrëset në fazën e grupeve), Olimpiakos është eliminuar pikërisht prej portierit shqiptar.

Anorthosis humbi 1-0 në stadiumin “Karaiskakis”, por kjo nuk u mjaftoi kampionëve të Greqisë që të kualifikoheshin, pasi ishin mposhtur 3-1 në takimin e parë në Qipro. Beqaj u shpall lojtari i ndeshjes, pavarësisht se pësoi gol.

Me ndërhyrjet e tij, 32-vjeçari neutralizoi të paktën katër rrjeta të sigurta dhe e la Olimpiakosin jashtë aktivitetit më të rëndësishëm për klube për të parën herë në 11 vitet e fundit.

Olimpiakos

Rreth këtyre zërave të merkatos, kuqeziu është shprehur se deri më tani në adresë të tij nuk ka ardhur asnjë ofertë. “Nuk jam në dijeni për interesimin e Olimpiakos.

Nëse vjen ndonjë ofertë e mirë dhe në rast se dëshiron klubi të më shesë, unë nuk do t’i them jo. Unë kam kontratë edhe 2 vjet e gjysmë me Anorthosisin dhe këtu ndihem mirë”, tha ai. Në verën e vitit 2007 spekulohej se portieri kërkohej nga Olimpik Marseja, transferim që nuk u realizua.

Nëse Anorthosis e Olimpiakos do të gjejnë akordin, Beqaj do të rikthehet në kampionatin helen pas dy vjetësh. Ai ka luajtur për nëntë sezone në Superligën greke: 1997/03 me OFI-n e Kretës (ku në 129 takime ka shënuar edhe një gol në edicionin 2000/01) dhe 2003/06 me Ionikos.

Në të kaluarën tek Olimpiakos ka luajtur edhe “gardiani” tjetër kuqezi, Foto Strakosha (1993/97), tashmë zv/trajner i APOEL Nikosias. Ndërsa, në formë huazimi për gjashtë muaj (sezoni 2007/08) atje qëndroi edhe Jahmir Hyka.
 



AC_FL_RunContent( 'codebase','http://download.macromedia.com/pub/shockwave/cabs/flash/swflash.cab#version=9,0,28,0','width','580','height','99','src','flash/banner','quality','high','pluginspage','http://www.adobe.com/shockwave/download/download.cgi?P1_Prod_Version=ShockwaveFlash','movie','flash/banner' ); //end AC code

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›