Siri, dhjetra të vrarë e qindra të plagosur nga dy sulme vetvrasëse

Aktivistët sirianë thonë se një sulm i dyfishtë me bomba pranë ndërtesave të sigurisë në qytetin veriperëndimor të Idlib ka vrarë të paktën 20 persona, ndërsa një fushatë e bombardimeve kundër qeverisë siriane po intensifikohet.
Një sulm tjetër me granatë diten e djeshme goditi Bankën Qendrore siriane në Damask, duke plagosur katër oficerë të sigurisë.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani tha se objekt i sulmit në Idlib ishin zyrat e shërbimit të zbulimit të përdorura nga ushtria siriane dhe forcat ajrore. Lajmi i agjencisë shtetërore të Sirisë bën të ditur se autorët e sulmeve vetvrasëse shkaktuan shpërthime duke shkaktuar 9 të vdekur, rreth 100 të plagosur, përfshirë edhe personelin e sigurisë dhe civilë.
Numri i viktimave nuk mund të konfirmohen nga burime të pavarura.
Televizioni shtetëror sirian transmetoi pasojat e sulmit në Idlib, duke treguar makina të shkatërruara krejtësisht, ndërtesa të dëmtuara dhe trupat e coptuar.
Shefi i OKB Ban Ki-Moon dënoi sulmet në Idlib dhe Damask, duke thënë se ai është "shqetësuar seriozisht" nga dhuna e vazhdueshme.