Siri, forcat e Asadit vazhdojnë arrestimet

Një aktivist i të drejtave të njeriut në Siri, ka thënë se forcat e sigurisë kanë arrestuar qindra persona në një krahinë veriperëndimore e cila mbahet e rrethuar prej një jave.
Mustafa Oso, ka thënë se arrestimet janë kryer kryesisht në rajonin e Xhisr al Shugur, më saktë në qytezën Maret al Numan dhe fshatrat përreth.
Ai ka thënë se trupat kanë hapur zjarr sot në afërsi të Maret al Numanit, një qytet me 100 mijë banorë, përgjatë autostradës që e lidh Damaskun me qytetin e dytë për nga madhësia, Alepo.
Ushtria siriane gjatë fundjavës ka bërë me dije për një operacion në krahinën Idlib, ku u vranë 120 persona në Xhisr al Shugur, nga ajo që qeveria ka thënë se kanë qenë grupe të armatosura.
Opozita thotë se ka pasur dezertorë që janë ekzekutuar nga bashkë-ushtarët e tyre.
Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë thënë se mbi 1400 sirianë janë vrarë që prej kryengritjes kundër regjimit të presidentit, Bashar al Asad, e cila filloj në mes të muajit mars.