E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siri, të paktën 260 manifestues vriten nga forcat e regjimit

Nëse kjo shifër do të konfirmohet, atëherë do të bëhet fjalë për ditën më të përgjakshme që prej fillimit të revoltës kundër presidentit Bashar al-Asad në muajin mars 2011.

Rreth 138 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë në lagjen Al Khalidiya dhe 79 në lagje të tjera, sipas një komunikate të Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH). Organizata i bën thirrje popullit sirian në të gjitha rajonet që të dalin në rrugët e qyteteve dhe fshatrave dhe të ngrihen kundër regjimit që po kryen një masakër të vërtetë në Homs.

Stacionet televizive arabe “Al-Arabiya” dhe “Al-Jazira” kanë treguar dhjetëra trupa të pajetë në rrugët e Homsit.
“Kjo është një masakër e vërtetë”, deklaroi drejtori i OSDH, Rami Abderrahman duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Lidhjes Arabe, ndërkohë që Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka parashikuar të mblidhet sot në Nju Jork për të votuar rezolutën që dënon represionin në Siri.

Ndërkaq, manifestuesit të nervozuar kanë sulmuar ambasadat e Sirisë në disa vende.
Në Kuvajt, ku jetojnë rreth 100 000 shtetas sirianë, qindra sirianë dhe militantë kuvajtjanë të nervozuar kanë tentuar të futen në mjediset e ambasadës.

“Në Kajro, dhjetëra opozitarë sirianë kanë pushtuar ambasadën duke dëmtuar ndërtesën dhe vënë zjarr në katet e para”, theksoi një punonjës i misionit. Sot në mëngjes, policët egjiptianë u vendosën në vendngjarje për mbrojtjen e ambasadës.

Në Arabinë Saudite, ku manifestimet janë të ndaluara, disa dhjetëra sirianë u mblodhën para ambasadës së Sirisë, para se të shpërndaheshin nga policia.

Në Evropë, qindra manifestues, pjesa më e madhe sirianë, kanë mundur të hyjnë në ambasadën sirianë në Athinë. Policia arrestoi 12 sirianë dhe një irakian.

Në Londër, rreth 150 manifestues u mblodhën para ambasadës siriane ku pesë prej tyre u arrestuar pasi kishin hyrë në mjediset e ambasadës, sipas policisë.

Në Berlin, rreth 20 persona kishin hyrë gjithashtu në ambasadën e Sirisë në Gjermani para se të shpërnguleshin nga policia.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-02-04 15:20
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›