E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siria, Klinton: T`i japim fund gjakderdhjes

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë sërish thirrje Presidentit sirian Bashar Al Assad ti japë fund gjakëderdhjes në Siri. Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton në një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu tha se ishte diskutuar për një tranzicion paqësor drejt demokracisë në Sirinë pa presidentin Assad.
 

Clinton tha se qeveria amerikane do të ndihmojë financiarisht opozitën siriane, ndërsa shprehu gjithashtu mbështetjen për zgjerimin e planit të detajuar operacional të Turqisë për Sirinë.
 

Sekretarja amerikane e Shtetit u tha gazetarëve se ajo dhe homologu i saj turk, kishin diskutuar se si do të mbështesin opozitën në Siri në përpjekjet për t`i dhënë fund dhunës dhe të fillojë tranzicionin drejt një Sirie të lirë,e Demokratike pa Assad.
 

"Objektivi numër një është të përshpejtohet fundi i gjakderdhjes dhe i regjimit të Assad",-theksoi Clinton.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin Turqinë si një lojtar kyç në mbështetjen e opozitës dhe si një partner në planet për të ardhmen e Sirisë.
 

Ndërkohë pavarësisht se Sekretarja amerikane e Shtetit zhvillonte takime mbi një tranzicion të qetë drejt demokracisë në Siri, në qytetin e Aleppos luftimet kanë qenë sërish të ashpra, ndërsa në Damask bëri betiminin Kryeministri i ri i vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›