Siria dominon takimin Holland-Putin

Holland tha se çdo zgjidhje për krizën siriane fillon me largimin e presidentit sirian Bashar al-Assad nga detyra.
Por, Putin kujtoi se forcat që kundërshtojnë regjimin e Assadit janë njësoj përgjegjëse për vrasjet në Siri.
Takimi i parë i dy udhëheqësve erdhi vetëm një javë pas masakrës në qytetin sirian të Houlas, ku u vranë 108 njerëz, gati gjysma e tyre fëmijë.
Vrasjet në Houla kanë zgjeruar ndasitë diplomatike midis vendeve që dënojnë qeverinë e Sirisë për aksionet e saj shpesh vdekjeprurës ndaj opozitës. Kina dhe Rusia po kundërshtojnë ndërhyrjen nga jashtë në punët e brendshme të Sirisë.
Putin, një aleat i Sirisë, bëri thirrje që t’i jepet më shumë kohë planit të paqes të të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania i kanë bërë thirrje Moskës që të ashpërsojë qëndrimin ndaj regjimit Sirian, sidomos pas masakrës së javës së kaluar në Hula.
Në një sesion të jashtëzakonshëm të mbajtur të premten, këshilli dënoi Sirinë për masakrën në Hula dhe bëri thirrje për një hetim të kësaj ngjarjeje.