Siria lejon hetuesit. SHBA: Është vonë

Siria pritet t’u lejojë hetuesve të OKB-së qaje të plotë ndaj çdo vendi të supozuar si të sulmuar me armë kimike, bëri të ditur zëvendës ministri i Jashtëm, Faisal al-Mekdad, për CNN të dielën.
Marrëveshja është efektive në mënyrë të menjëhershme, njoftoi ai, por një zyrtar i lartë amerikan e konsideroi këtë veprim si “të pamjaftueshëm dhe të vonshëm”.
Inspektorët shpresojnë të nisin hetimin e provave të hënën, pikërisht në vendin e dyshuar për sulme gjatë kësaj jave me armë kimike, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Al Mekdad tha se nevojitet logjistikë për të punuar, pasi deri te
mbërritja në vendin e caktuar për t’u hetuar duhet të kryqëzohesh disa herë me territore të kontrolluara nga rebelët.
Forcat rebele dhe regjimi sirian i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit për sulmet e së mërkurës. Videot e tmerrshme të pasojave tregojnë trupa të shumtë, përfshi gra dhe fëmijë.
“Nëse qeveria siriane nuk ka asgjë për të fshehur dhe kërkon t’i provojë botës se nuk ka përdorur armë kimike në këtë incident, atëherë duhet të kishte ndalur sulmet e saj në atë zonë dhe t’u jepte akses të menjëhershëm inspektorëve të OKB-së 5 ditë më parë”, tha zyrtari i lartë i administratës Obama, gjatë së dielës.
“Në këto rrethana, vendimi i vonuar nga regjimi për t’i dhënë akses ekipit të OKB-së vjen shumë vonë për të qenë i besueshëm, përfshi këtu edhe faktin që provat e mundshme janë bastarduar ndjeshëm, si rezultat i bombardimeve të vazhdueshme të regjimit dhe veprimeve të tjera të qëllimshme gjatë 5 ditëve të kaluara”, shtoi ai në një deklaratë, por që nuk është i autorizuar të flasë publikisht.
“Bazuar mbi numrin e raportuar të viktimave, të simptomave të atyre që janë vrarë apo plagosur, dëshmive të të pranishmëve dhe fakteve të tjera të mbledhura nga burime të hapura, komuniteti i inteligjencës amerikane dhe partnerët ndërkombëtarë, mund të them se ka dyshime se një armë kimike është përdorur nga regjimi sirian kundër civilëve në këtë incident”, raporton TCH.
Shtetet e Bashkuara “po vazhdojnë të vlerësojnë faktet, kështu që presidenti mund të marrë një vendim se si do t’i përgjigjet këtij përdorimi që s’bën dallim të armëve kimike”, tha zyrtari. Pentagoni ka dërguar 4 anije luftarake në rajon, të pajisura me raketa ajrore./Indeksonline/