Siria qëllon avionin e dytë turk
Ndërkohë që autoritetet turke ishin në takim me ato europiane në Luksemburg, për të trajtuar çështjen e rrëzimit të një avioni turk nga Ushtria siriane, këta të fundit qëlluan një tjetër avion në hapësirën ndërkombëtarë të hënën, sipas zv.kryeministrit turk. Bulent Arinc tha në një konferencë të hënën se forcat siriane kanë hapur zjarr ndaj një avioni kërkimi-shpëtimi, CASA , pas rrëzimit të avionit luftarak me dy pilotë, RF-4E, i cili po ashtu po fluturonte të premten në hapësirën ndërkombëtare. Ai tha se pala siriane e kishte ndalur sulmin pas një paralajmërimi nga Ushtria turke. Të hënën, ministrat e 27 vendeve anëtare të BE-së e dënuan Sirinë për rrëzimin e avionit turk të premten, por thanë se blloku i BE-së nuk e mbështet ndërhyrjen ushtarake në këtë vend. Ajo që ndodhi duhet të shqyrtohet shumë seriozisht, tha ministri i Jashtëm holandez, Uri Rosenthal. Por, ne nuk mbështesim ndërhyrjen, tha ai. Zyrtarët turq thanë në takim se avioni gabimisht kishte hyrë në hapësirën ajrore siriane, por u paralajmërua nga Ushtria turke dhe u kthye menjëherë pas. Ai ishte një milje brenda në hapësirën ndërkombëtare, kur u rrëzua nga Siria. Dy pilotët ende nuk janë gjendur. Autoritetet siriane thanë se nuk e dinin që avioni ishte turk dhe se ata po mbronin hapësirën e tyre ajrore (në të kaluarën disa avionë izraelitë kanë hyrë qëllimisht në hapësirën siriane). Sot, kjo çështje do të shqyrtohet në Këshillin e NATO-s.