Samaras del nga spitali, ministri i Financave tërhiqet, shkak sëmundja

Samaras dhe Rapanos gjatë një takimi
I emëruari për të drejtuar Ministrinë e Financave në Greqi, Vasilis Rapanos, u tërhoq dje nga ky post, në një letër-kërkesë drejtuar Kryeministrit të ri Antonis Samaras, e cila është pranuar. Rapanos, i cili duhej të betohej për postin e ministrit të Financave që të premten, u tërhoq për arsye shëndetësore. Të premten në mëngjes ai u shtrua në spital, pasi pësoi një gjendje të fikëti dhe temperaturë të lartë, dhe prej së premtes ndodhet ende nën mbikëqyrjen e mjekëve. Raportimet se gjendja e tij shëndetësore tashmë është më e mirë kanë nxitur spekulimet se tërheqja e tij ishte refuzim i propozimit nga Kryeministri Antonis Samaras, kreu i PASOK, Evangelos Venizelos dhe kreu i DIMAR, Fotis Kuvelis. Kryeministri i ri dhe krerët e partive pro koalicionit qeveritar po kërkojnë një emër të ri të përshtatshëm për të kryet detyrën më të vështirë brenda qeverisë greke, atë të menaxhimit të financave të vendit në krizë të thellë.
Ndërkohë Kryeministri i ri, Samaras, doli dje nga spitali, pas një operacioni në retinën e syrit. Samaras, i cili për arsye shëndetësore nuk mund të marrë pjesë në Samitin e 28 dhe 29 qershorit, do tia lërë drejtimin e delegacionit grek Presidentit të vendit, Karolos Papulias, pasi liderët europianë nuk e pranuan propozimin mëparshëm të tij, që delegacioni në samitin e rëndësishëm financiar të drejtohej nga ministri i Jashtëm i vendit, Dimitris Avramopulos. Kjo për arsye se delegacionet e vendeve pjesëmarrëse në këtë samit duhet të drejtohen nga Kryeministri apo Presidenti i vendit përkatës. Ministri i Jashtëm, Avramopulos, do të jetë anëtar i delegacionit grek. Përveç tij, pjesëmarrës do të jenë edhe ministri i Financave të qeverisë së përkohshme, Jorgos Zanias, ministri i Zhvillimit, Kostis Haxhidakis dhe zëvendësministri i Financave, Kristos Staikouras.
Frika e shperberjes
Në një artikull botuar dje në gazetën gjermane Der Spiegel thuhet se Gjermania i trembet shpërbërjes së euros, sepse në një rast të tillë ekonomia e këtij vendi do të pësonte një rënie me 10 për qind. Artikulli citon pjesë të një studimi të Ministrisë gjermane të Financave, ku mes të tjerash thuhet se shpëtimi i euros me një çmim të lartë është e keqja më e vogël për vendin.