E Diel, 1 Nëntor 2026

Siria, sot raporti vendimtar i OKB-së për armët kimike

NEW YORK - Sot pritet të publikohet raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara lidhur me përdorimin e armëve kimike në Siri. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, paraditen e sotme do t'i dorëzojë Këshillit të Sigurisë, raportin e ekspertëve mbi përdorimin e armëve kimike. Pritet që ky raport të jetë vendimtar për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren ndaj Sirisë. Mendohet që në bazë të tekstit të këtij dokumenti të rëndësishëm, ditët në vijim do të jenë me pasoja dhe ndëshkime të rënda për Damaskun, në rast se armët janë zhvendosur për t'i fshehur, duke vështirësuar kështu punën e hetuesve të OKB-së. Në pritje të publikimit të raportit, më në fund do të zbulohet nëse ekzistojnë vërtet provat e pakontestueshme kundër Bashar Al-Assad. Për ekzistencën e këtyre provave ka folur dy ditë më parë Sekretari i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon. Ai e ka konsideruar presidentin sirian Bashar Al-Assad fajtor për një sërë krimesh kundër njerëzimit. Megjithëse nuk akuzoi shprehimisht qe-verinë siriane për sulmin e 21 gushtit në afërsi të Damaskut, zyrtari i lartë i OKB-së la të kuptohej se mbi Assadin rëndon një përgjegjësi për të cilën duhet të përgjigjet. "Shumë vende pretendojnë se presidenti Assad duhet të largohet, por sa i takon Kombeve të Bashkuara, ne nuk jemi në gjendje të shprehemi për diçka që duhet vendosur vetëm nëpërmjet vullnetit të popullit. Nëse duhet të jetë apo jo president, kjo u takon sirianëve ta vendosin. Por fakti është që Assad ka kryer shumë krime kundër njerëzimit. Jam i bindur se kur të ketë përfunduar gjithçka, do të mbahet një proces gjyqësor i cili të qartësojë përgjegjësitë e tij", - është shprehur Ban Ki Moon.
DOREZIMI
Disa ditë më parë, Presidenti i Sirisë, Bashar Al-Assad, në një intervistë pranoi për herë të parë publikisht se është i gatshëm të vendosë arsenalin e armëve të tij kimike nën kontrollin ndërkombëtar. Duke folur për televizionin rus "Rossiya 24", Assad tha se vendimi i tij për të pranuar këtë plan është mundësuar ekskluzivisht si rrjedhojë e nismës ruse, e jo prej kërcënimeve amerikane të një ndërhyrjeje ushtarake. Shtetet e Bashkuara të Amerikës akuzojnë regjimin sirian për vrasjen e qindra civilëve, nëpërmjet një sulmi kimik të ndodhur në periferinë e Damaskut në datën 21 gusht. Që prej 21 gushtit nisën edhe akuzat kundër liderit të qeverisë siriane, i cili asnjëherë nuk pranoi përdorimin e armëve kimike mbi civilët. Autoritetet siriane i mohojnë këto akuza, duke fajësuar rebelët si ndërmarrës të sulmit. Për këtë arsye u vendos që hetuesit e OKB-së të studiojnë në terren situatën, në kërkim të provave që prangosin liderin sirian.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›