E Diel, 1 Nëntor 2026

Siriani në News24: Frike nga lufta civile në Siri, familja më kërkon të vijë në Shqipëri

TIRANË-“Alo baba, jeni mirë, motrat, vëllezërit a janë mirë? Po bombardohet në qytet? Të përshëndes, jam në një studio televizive”. Ishin pak nga fjalët që shtetasi sirian Abdyl Faufaz shkëmbeu në një lidhje telefonike nga studio e televizionit News24 ku ishte i ftuar në rubrikën ‘Opinion” nga gazetarja Ola Bruko.

Faufaz jeton prej 16 vitesh në Tiranë, i martuar me një grua shqiptare. Ajo quhet Valentina. Edhe pse ai vetë është sistemuar në tokë shqiptare ku punon dhe jeton prej vitesh, mendja dhe zemra i mbeten në Siri. Në një rrëfim në studion e lajmeve në News24, siriani tregon me një shqipe të kulluar se ka frikë se populli i tij mund të kthehet në një 'Irak' të dytë.

“Kam frikë për një luftë civile si në Irak. Nuk kanë frikë sirianët nga Amerika, jo. Sepse dhe po ndërhyri Amerika do të bombardojë vetëm zonat ushtarake. Jo, frika është tek ushtria dhe tek rebelët. Babai më tha se ushtria duke luftuar rebelët do të futet në qytet, në Damask. Ata tani po luftojnë periferinë, por nëse futen në qytet do të ketë vërtet problem”. 

Abdyl tregon se familja e tij jeton në Damask, 4 km larg vendit ku dyshohet se janë përdorur armët kimike. Abdyl thekson se babai i kërkon të vijë në Shqipëri.

“Familja janë në një lagje në periferi në Damask. Kur fola në skype me vëllain dëgjoja bombat që shpërthenin. Babai thotë se do të dërgojë pasaportë të vijë në Shqipëri. Ai më tha, ‘më largo që këtu’. U thashë më nisni kopje pasaportash. Ushtria u ka thënë sot se do të hyjë në qytet dhe civilët duhet të largohen sepse situata pritet të bëhet më keq. Tani ushtria është duke luftuar rebelët, do të futet në lagje, kam frikë për familjarët e mi”.

Abdyl tregon se në banesën e tij në Damask banojnë 72 persona. “Janë në banesën tonë, jemi 6 çuna dhe 5 motra të gjithë të martuar me kalamaj. Më mirë thonë të vijnë këtu në Shqipëri”.

Më tej siriani tregon episodin e humbjes së kunatit.
“Burri i motrës ka dalë në punë me taksi dhe nuk ka ardhur më. Ka 1 vit që nuk kemi informacion se ku është, a është gjallë a ka vdekur”. 

Sipas Faufaz, problemi me luftën nuk është vetëm në Siri, por edhe në vendet arabe. Problemi, tha ai, nuk është vetëm Assad por edhe rebelët.

“Problem ka ndodhur dhe në vendet arabe. Në Siri ka ardhur koha për ndryshim, duan të heqin Assad dhe ai nuk tërhiqet. Unë nuk dua luftë, mua nuk më prish punë Assadi, as rebelët, unë jam një individ kundra luftës. Mirë do të ishte që Assad të kishte ikur dhe të mos ndodhte e gjithë kjo, por dhe rebelët shkuan më larg sa duhej. Unë jam kundra luftës nuk merrem me cështje lufte. Të dy janë problem dhe rebelët dhe Assad. Assadi mund të largohet vetëm në rrugë tokësore, por kjo do shkaktonte probleme të mëdha dhe për amerikanët”.

Siriani që jeton në Shqipëri shprehet se ka dyshime për përdorimin e armëve kimike.
“Nuk e di a janë përdorur armë kimike, mbase nuk janë përdorur sepse sa ka ardhur kontrolli dhe pastaj janë hedhur të tilla. Ka shumë grupe që shkaktojnë trazira në Siri, janë gjëra të vështira ti kuptojmë tani për tani”. 

Abdyl Faufaz ka mbërritur në Shqipëri në vitin 1996 me shpresën të ngrinte një biznes karamelesh me vëllain e tij, por viti ’97 u shkatërroi ëndrrat.
“Unë kam qenë kampion bodibuilding në Siri dhe erdha lirisht në Shqipëri falë këtij sporti. Vendosa këtu të vazhdoj biznesin e familjes, e kemi traditë më saktë, bëjmë karamele.
Kemi pasur fabrikë në Laprakë, por në vitin ‘97 ka pas rrëmuja dhe u prish fabrika. Unë hapa palestër, vëllai iku në Siri. Unë jam martuar me nuse shqiptare dhe qëndrova këtu. Unë jetoj këtu si në Siri, nuk kam asnjë problem, ndjehem si në atdheun tim. Por do të doja që dhe familja ime të ishin shëndoshë e mirë këtu”, tha Faufaz.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rama: Qeveria e re mbështet ndërhyrjen ushtarake të NATO në Siri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›