Sistem pikësh për lejen e qëndrimit në Itali
Një rregullore e re që do të përcaktojë sistem pikëzimi për marrjen e lejes së qëndrimit në Itali, pritet miratohet pas pak ditësh në vendin fqinj. Së shpejti do të paraqitet përmbajtja e plotë e artikullit 4 të rregullores për emigracionin, siç parashikohet nga ligji nr. 94 të vitit 2009 për sigurinë publike, dhe leja e qëndrimit do të bëhet me pikë dhe do të varet nga një marrëveshje integrimi që të huajt duhet të nënshkruajnë. Lajmërimi u bë dje në Viminale nga ministri i Brendshëm, Roberto Maroni, dhe nga ministri i Politikave Sociale, Maurizio Sacconi, në konferencën për shtyp për prezantimin e bimestrales së re të Viminales, "Libertà Civili". Bëhet fjalë për një rregullore që do të çohet në Këshillin e Ministrave dhe që parashikon se ata që kërkojnë lejen e qëndrimit, duhet të nënshkruajnë një marrëveshje integrimi që parashikon përmbushjen e disa detyrave, ndër të cilat njohja e gjuhës italiane, regjistrimi në Shërbimin Kombëtar Shëndetësor si dhe njohjen e Kushtetutës. Pikërisht sot, - ka thënë Maroni, - diskutuam për rregulloren që parashikon nënshkrimin e marrëveshjes për integrim në momentin e dhënies së lejes së qëndrimit. Për titullarin e Viminales, ky propozim bëhet në bazë të asaj që parashikohet në ligjin për sigurinë që flet për objektiva specifike që duhen përmbushur, si njohja e gjuhës italiane brenda dy vitesh, dhe që do të vlerësohet nga sportelet për emigracionin. Në qoftë se objektivat do të jenë përmbushur, do të jepet leja e qëndrimit, në të kundërt, emigranti do të përjashtohet. Ky është një sistem, shtoi ministri, për të garantuar integrimin: unë të sugjeroj çfarë duhet të bësh për tu integruar në komunitet. Në qoftë se i përmbush këto detyra, do të jap lejen e qëndrimit; në të kundërt, tregon se nuk do të integrohesh. Këtë gjë do ta aplikojmë vetëm në lejet e reja të qëndrimit. Për kurset e gjuhës dhe çështje të tjera, Maroni siguroi: Nuk do tu kërkojmë para emigrantëve, do të bëjmë ne çdo gjë, duke siguruar standarde të njëjta në të gjitha provincat dhe për të pasur çdo gjë nën kontroll. Marrëveshja ndërmjet dy ministrive, - e mbylli Maroni, - shumë shpejt do të kthehet në një dekret. Nga e gjithë fjala e ministrit, një gjë duket plotësisht e qartë: marrëveshja për integrimin do tu përkasë vetëm të huajve që do të hyjnë në Itali vetëm pas hyrjes në fuqi të rregullores. Për të njohur më konkretisht dhe në detaje përmbajtjen e rregullores, do të duhet të presim miratimin dhe publikimin në Fletoren Zyrtare.