E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, qendër hemodialize për fëmijët

Ky projekt do të përfshinte 8 shtretër aktivë dhe 2 rezervë

Në spitalin pediatrik në QSUT pritet të ngrihet një qendër e veçantë për hemodializën. Shtimi i rasteve të fëmijëve të sëmurë nga veshkat ka alarmuar mjekët nefrologë të cilët kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë ngritjen sa më parë të një pavijoni dialize për fëmijët. Ndërkohë që fondet për ngritjen e qendrës së hemodializës në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza janë siguruar prej vitit të kaluar nga Turqia. Ish-ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, iu dha mbështetja në këtë projekt që vitin e shkuar gjatë një vizite zyrtare në Turqi. Specialistët Vetëm pak ditë më parë, në ditën botërore të veshkave, mjekët nefrologë nxorën në pah një fakt tejet të rëndë. Profesor doktor Nestor Thereska deklaroi se përveç shtimit të numrit të shqiptarëve që vuajnë nga veshkat, përkatësisht një në 10 persona, vitet e fundit është vërejtur edhe shtimi i rasteve të fëmijëve që vuajnë nga sëmundje të këtij organi. Asokohe profesori parashtroi kërkesën për ngritjen e një qendre hemodialize në spitalin pediatrik. Vëzhgimet e kryera tregojnë se fatkeqësisht vendi ynë raporton shifra të larta të të prekurve, pavarësisht numrit të vogël të popullsisë. Por ajo që është cilësuar më problematike, sipas mjekëve, mbetet gjetja e këtyre sëmundjeve edhe te moshat e vogla. Unë do të jap një shifër të një prej shteteve më të fuqishme në botë. Në Amerikë, një në dhjetë persona vuan nga veshkat. Unë jam i bindur që në këto shifra renditet edhe vendi ynë, pasi rastet e zbuluara së fundmi kanë pësuar rritje të frikshme. Në vitin 2025 sëmundjet e zemrës dhe të veshkave do të zënë vendin e parë në botë për sëmundshmërinë në përgjithësi", - ka pohuar kreu i shërbimit të Nefrologjisë në QSUT, Nestor Thereska. Pavijoni Ndërsa premtimi për ngritjen e një qendre të tillë ka ardhur prej vitit të kaluar gjatë vizitës së ish-ministres Anila Godo në Turqi. Në këtë takim u arrit zgjerimi i marrëveshjes që ekziston mes Turqisë dhe Shqipërisë, në shërimin e 100 pacientëve në vit, në spitalet turke. Gjithashtu, u aprovua edhe projekti për hapjen e qendrës së hemodializës në Pediatrinë e QSUT-së. Ndërsa fondi u çel asokohe dhe pritej që shumë shpejt të konkretizohej fillimi i këtij projekti. Ky projekt do të përfshinte 8 shtretër aktiv dhe 2 rezervë. Kryerjen e dializës peritonale, rikonstruksionin e ambientit si edhe pajisjen me materialet e nevojshme për funksionimin optimal. Por sot e kësaj dite, ende nuk është bërë asgjë, edhe pse projekti mori miratimin. Në të njëjtën kohë janë siguruar edhe fondet, të cilat u dhanë falë marrëveshjes së përbashkët me Turqinë. Aktualisht, vendi ynë vazhdon të vuajë shtimin e rasteve të fëmijëve të sëmurë me veshka që sipas mjekëve nefrologë nuk mund të presin të ardhmen për ngritjen e një qendre dialize, por hapjen sa më shpjet të një qendre të tillë te pediatria.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›