E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi, aleatët e PD-së: Duam korrektim kombëtar

TIRANË Në mungesë të një tryeze të përbashkët mes partive të koalicionit qeverisës lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur për ndryshimin ose jo të sistemit, të vegjlit e mazhorancës kanë depozituar pranë komisionit të Reformës propozimet e tyre, si e vetmja mënyrë për të gjetur një zgjidhje zyrtare. Partia Republikane dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë gati listën me propozime. "Vota të jetë e barabartë në të gjitha qarqet e Republikës dhe jo vota e një partie tjetër, përveç Partisë Demokratike apo edhe Partisë Socialiste të numërohet për një forcë tjetër politike. Ka propozime për një korrektim kombëtar të sistemit aktual. Të bëhet një reformë në ndarjen administrative territoriale të vendit, ku të zvogëlohet numri i qarqeve, nga 12 në 6", - tha dje Vangjel Tavo, deputet i LSI-së. Ndërsa republikani Arjan Madhi shprehet se "duke vënë në përparësi fillimisht çështjen e korrektimit të votës, së dyti duhet thënë që komisionet e Reformës Zgjedhore tashmë në përbërjen e tyre duhet të ndryshojnë domosdoshmërisht. Është domosdoshmëri edhe nevoja e konkurrimit të hapur me lista të hapura e i numërimit dhe votimit elektronik". Nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, republikanët deklarojnë se do të ndërmarrin lëvizje taktike. "Nëse nuk do të binden, sigurisht ne nuk mund të përdorim instrumente imponimi, se do të ishim abuzivë. Ne kemi taktika të ndryshme elektorale që mund t’i aktivizojmë. Formimi i koalicioneve të ndryshme, të cilat nuk kundërshtojnë filozofinë mbi bazën e të cilave ato qëndrojnë, por ndërtojnë raporte marrëdhëniesh për të maksimalizuar votën në elektorat, unë nuk besoj që do të ishte një veprim i gabuar", - tha Madhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›