Topi takon ambasadorin danez: Objektivi ynë, marrja e statusit
Jensen: “Mbretëria e Danimarkës do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian”
TIRANË Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi dje një takim me ambasadorin danez, Karsten Ankjaer Jensen, me rastin e marrjes së Presidencës së radhës të Bashkimit Europian nga ana e Mbretërisë së Danimarkës. Gjatë këtij takimi pune me ambasadorin danez Jensen, kryetari i shtetit theksoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është objektivi kryesor i politikës së jashtme shqiptare, që reflekton dhe synon të përmbushë aspiratën e gjerë të qytetarëve shqiptarë për të qenë pjesë edhe zyrtarisht e familjes europiane. Presidenti i Republikës nënvizoi se për realizimin e kësaj aspirate duhet angazhimi maksimal i shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij, si dhe një bashkëpunim intensiv me Presidencën daneze dhe delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë. “Objektivi ynë është përshpejtimi i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë dhe ne shpresojmë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian brenda këtij viti, pasi të kemi plotësuar kriteret e duhura, ku më kryesori është dialogu dhe bashkëpunimi politik institucional”, - tha presidenti Topi. Në këtë pikë, kryetari i shtetit vlerësoi rolin dhe kontributin e ambasadorit Jensen dhe shprehu bindjen në mbështetjen e plotë të Presidencës daneze për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Nga ana e tij, ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen i paraqiti presidentit Topi përparësitë e programit të Presidencës daneze të radhës së Bashkimit Europian, ku një vend të veçantë do të zërë vazhdimësia e procesit të zgjerimit, si dhe mbështetja e ndihmesa ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në gjirin e familjes europiane. Ai theksoi se “Mbretëria e Danimarkës do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke uruar që Shqipëria të arrijë ta marrë e ta meritojë statusin e vendit kandidat, dhe do të ishte një gjë shumë e mirë sikur kjo të ndodhte në këtë vit të njëqindtë të pavarësisë së saj”.