E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi i PS-së me aleatët: Korrektimi i sistemit zgjedhor, jo kusht për reformën

SHKRUAN: Fejzi Braushi 11-01-2012 11:56

Korrektimi i sistemit aktual zgjedhor me proporcional kombëtar nuk është më një kusht i së majtës për ecurinë e mëtejshme të reformës zgjedhore. Kreu socialist Edi Rama duket se ka arritur t’i shuajë zërat kritikë të aleatëve të tij dhe t’i bindë ata që të mos e konsiderojnë korrektimin e sistemit zgjedhor si një qëllim, pasi vetoja që PS ka në komision është bllokuese dhe jo detyruese që pala tjetër të pranojë një propozim të tillë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që socialistët kanë hequr dorë përfundimisht nga një kërkesë e tillë, pasi, siç edhe ka siguruar Rama dje aleatët e tij në takimin e parë që ka zhvilluar me ta për këtë vit, PS do të mbështesë publikisht këtë kërkesë ashtu edhe në diskutimet me palën tjetër në tryezën e bisedimeve të Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Takimi

Liderët e koalicionit opozitar janë thirrur dje në një takim informal nga kreu i PS, Rama, i cili është zhvilluar si gjithmonë në një nga ambientet e lokalit pranë selisë rozë. Në takim morën pjesë kreu i PSD-së, Gjinushi; kreu i PDS-së, Milo; ai i PLD-së, Ngjela; i PSV91, Koçi; i PDK, Ndoka; si dhe koordinatori i Koalicionit, Preç Zogaj; ndërkohë që mungoi kreu i PBDNJ, Dule; që sipas njoftimit të selisë rozë ndodhej jashtë vendit. Takimi mësohet se është përqendruar kryesisht te reforma zgjedhore dhe te mundësia e hartimit të një programi të përbashkët politik. Burime pranë tij kanë bërë të ditur se përsa i përket çështjes së parë, bashkëkryetari socialist i komisionit të reformës zgjedhore, Gjiknuri, ka raportuar mbi ecurinë e deritanishme të punës si dhe bisedat e zhvilluara me palën tjetër. Kështu, mësohet se ai ka siguruar se është duke biseduar, por duke mos patur ende një vendim përfundimtar për çështjen e listave të zgjedhësve, kontrollit të hyrje-daljeve në kufij, numërimit elektronik, si dhe mundësisë së pajisjes së qendrave të votimit me një aparaturë të leximit elektronik të kartave dhe pasaportave biometrike që do të paraqesin zgjedhësit në ditën e votimit. Ndërkohë që çështja e cila ka ngjallur dhe diskutimet më të mëdha ka qenë ajo për çështjen e sistemit zgjedhor. Gjiknuri, por edhe Rama, kanë siguruar krerët e partive aleate se PS vijon ta mbështesë kërkesën për korrektim kombëtar të sistemit, por duke u bërë të ditur njëkohësisht atyre se pala tjetër nuk është e gatshme që ta pranojë një propozim të tillë. Ndërkohë që kreu i PSD, Gjinushi dhe ai i PDS-së, Milo, kanë kërkuar në këtë takim që PS të kushtëzojë votën e saj në komision pikërisht me këtë propozim. Por kreu socialist ka sqaruar ata se kushtëzimi i reformës me një propozim të tillë do të ishte në disfavor të opozitës, pasi në këtë mënyrë do bëhej i pamundur riparimi i atyre pikave të dobëta të Kodit që kanë të bëjnë kryesisht me garancinë e votës. Ndaj Rama ka kërkuar prej tyre që të mos jenë të prerë në këtë gjë, duke i garantuar se PS do të vijojë të mbështesë fuqishëm këtë propozim, por duke mos e parë atë si kusht.

Zogaj

Pas takimit, koordinatori i koalicionit, Preç Zogaj, ka sqaruar për mediat këtë konsensus të tryezës së aleatëve, se korrektimi i sistemit nuk do të jetë një kusht në tryezën me palën tjetër. “Opozita është e gjitha në një mendje për nevojën e korrektimit kombëtar. Por, natyrisht opozita do të vazhdojë të kontribuojë me përfaqësuesit e vet që kjo kërkesë të realizohet, por pa u bërë pengesë për realizimin e kërkesave të tjera”, - tha Zogaj. Gjithashtu ai ka bërë të ditur se përfaqësuesit e PS kanë propozuar pjesëmarrjen e partive jo parlamentare në tryezën e komisionit të reformës për të paraqitur propozimet e tyre. Ai ka deklaruar gjithashtu se në takim është diskutuar edhe për hartimin e një programi të përbashkët dhe është rënë dakord që partitë aleate të japin propozime për të pasuruar programin politikë të Partisë Socialiste si një program të të gjithë koalicionit.

Fejzi Braushi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›