Sistemi i gjurmimi të dokumenteve, hapi i radhës për administratën dixhitale
Kryeministri Berisha njoftoi sot, në mbledhjen e qeverisë, zbatimin në Këshillin e Ministrave dhe disa ministri të projektit pilot për vendosjen e sistemit të gjurmimit të dokumenteve të dorëzuar nga qytetarët. Projekt që do të shtrihet në të gjithë administratën publike.
“Nuk ka projekt më të rëndësishëm në veprimtarinë tonë burokratike, - tha Kryeministri - se ky projekt. Asgjë nuk mund të myket e flejë në skutat e burokracisë! Gjithçka duhet t’i nënshtrohet dritës dhe që të ndodhë kjo, duhet të kalojë në rrugën dixhitale.”
Për arritjen e këtij synimi, i përcaktuar nga qeveria shqiptare si një objektiv madhor që rrit transparencën në veprimtarinë e administratës publike, Kryeministri theksoi se është e nevojshme rekrutimi i ekspertëve më të mirë të IT-së, çka kërkon edhe një riorganizim të administratës së ministrive dhe agjencive publike, për fuqizimin e Teknologjisë së Informacionit, në funksion të këtij objektivi.
“Zotërinj ministra, kjo kërkon të përshtatni stafet tuaja me këtë kërkesë. Nuk mund ta realizoni këtë, në rast se nuk krijoni grupe të fuqishme të IT-së brenda ministrive. Duhet të kuptoni se sot, ata janë krahu teknik më kryesor në institucionet tona,” – tha Kryeministri, duke theksuar se Teknologjia e Informacionit është sot njësia themelore e çdo ministrie dhe agjencie.
Në vijim, fjala e Kryeministrit lidhur me këtë projekt.
“Problemi i dytë shumë i rëndësishëm është vendosja e sistemit të gjurmimit në të gjithë veprimtarinë tonë, nga sporteli ku dorëzohet dokumenti nga qytetari, deri tek përgjigja apo sjellja e tij në Këshillin e Ministrave. Ne duhet të rendim me shpejtësi drejt administratës dixhitale, drejt atij sistemi që e bën më transparente këtë administratë.
AKSH-i ka filluar punën dhe ekspertët e tij po punojnë në një projekt pilot, i cili do të fillojë të zbatohet me Këshillin e Ministrave, Ministrinë e Integrimit, Ministrinë e Punëve Publike dhe ministri të tjera. Në këtë projekt duhet të përfshihen me shpejtësi të gjitha ministritë. Nuk ka projekt më të rëndësishëm në veprimtarinë tonë burokratike se ky projekt. Asgjë nuk mund të myket e flejë në skutat e burokracisë! Gjithçka duhet t’i nënshtrohet dritës dhe që të ndodhë kjo, duhet të kalojë në rrugën dixhitale.
Ne kemi bërë një mbledhje të posaçme për këtë qëllim. Zotërinj ministra, kjo kërkon të përshtatni stafet tuaja me këtë kërkesë. Nuk mund ta realizoni këtë, në rast se nuk krijoni grupe të fuqishme të IT-së brenda ministrive. Duhet të kuptoni se sot, ata janë krahu teknik më kryesor në institucionet tona. Për këtë kemi krijuar edhe një Task Forcë. Kërkohet një shtytje e re e fuqishme, kërkohet rekrutimi nga ju i ekspertëve më të mirë të IT-së, pasi të keni bërë ripozicionimet në administratën tuaj, kërkohet të kalojmë në një administratë tërësisht dixhitale. Nuk duhet të harroni se shumë shpejt do të vendosim internet falas në 1200 zyra në mbarë vendin dhe që më pas do të jenë sportelet unike. Qytetarët, të cilët nuk kanë mundësi në shtëpi, do të shkojnë në këto zyra të ndjekin çdo dokument, të marrin çdo dokument që u duhet, në rrugë elektronike.
Zotërinj ministra, duhet të verifikoni se ku jeni me këtë objektiv, të diskutoni me AKSH-in se çfarë personeli ju duhet. Nuk do të mund të bëni asgjë, në rast se nuk riorganizoni administratën e ministrisë suaj. Gjashtë vjet më parë, ministrinë mund të kishin një apo asnjë person IT. Sot, kjo është njësia themelore e çdo ministrie dhe agjencie. Ndaj kërkoj nga ju të jeni të gatshëm të bëni të gjitha shkurtimet e rirregullimet e duhura, në favor të këtij dimensioni.
Ne mund të ndërtojmë sistemin e kanalizimeve më të fuqishme, por në rast se nuk informatizojmë gjithçka në bujqësi, nuk do të arrijmë qëllimet që kemi, në rast se nuk do të mësojmë fermerët tanë të programojnë vaditjen dhe në tërësi procese të tjera, qëllimin e dhjetëfishimit të prodhimit shqiptar do ta kemi të largët. Mora vetëm një shembull, bujqësinë, por kjo është e vlefshme në çdo fushë.”
25/07/2012