E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të poetit të shquar kosovar, Ali Podrimja

21 korrik 2012

Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës Prof. Dr. Bamir Topi shprehu sot ngushëllimet për ndarjen në mënyrë të parakohshme nga jeta në Francë të poetit të shquar kosovar, Ali Podrimja.

“Të nderuar familjarë të të ndjerit Ali Podrimja!

Në këto çaste të rënda për ju, më lejoni t'ju shpreh dhimbjen dhe hidhërimin për ndarjen nga jeta njeriut tuaj të shtrenjtë!

Largimi i parakohshëm nga kjo jetë i poetit të shquar nga Gjakova, i artistit me shpirt të ndjeshëm, i cili për dekada me radhë lartësoi me poezinë e tij të mbushur me simbole dhe metafora të pakrahasueshme, ndjenjat më të pastra atdhetare e liridashëse në Kosovë, na ka hidhëruar pamasë të gjithëve. Në kujtesën e të gjithë lexuesve dhe artdashësve shqiptarë, kudo që ndodhen, Ali Podrimja do të mbetet përherë i skalitur me talentin e tij të arrirë artistik, me teknikën e admirueshme poetike si dhe me profilin e veçantë dhe plot virtyte të rralla njerëzore, duke frymëzuar kështu breza të tërë poetësh e shkrimtarësh në të gjitha trojet e banuara prej shqiptarëve.

Duke ju përcjellë ngushëllimet më të sinqerta, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen në këtë momente të trishtuara si dhe të shpreh njëkohësisht edhe vlerësimin e lartë personal dhe institucional për jetën dhe veprën artistike me përmasa e ndikim kombëtar të Aliut tuaj të dashur!” – theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit shqiptare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›