Siti çon “Djallin” në ferr
Padyshim që Sheikun Mansur ka mbetur i kënaqur. Miliardat e hedhura kanë shpërblyer besimin e tij dhe Mançester Siti ka bërë një nga ato ndeshjet që do të mbahen mend në përjetësi. Të shënosh 6 gola ndaj Junajtid është më shumë sesa një sipërmarrje, por ta bësh këtë në “Old Trafford” atëherë ke tejkaluar edhe parashikimet më të çmendura. 6-1 ka fituar Mançester Siti dhe tifozët e kaltër që kishin zënë vend në një qoshe të stadiumit ishin në delir të plotë. E çel serinë Mario Baloteli, që godet rrafsh me tokën një pasim të ardhur nga këmbët e Xhejms Milnerit. Është minuta e 22-të dhe Siti konkretizon dominimin territorial ndaj rivalit të urryer. Raste për shënim do të ketë deri në fund të 45 minutave të para, por me avantazhin minimal të Sitit, skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes. Fillimi i pjesës së dytë sjell edhe goditjen për Junajtidin. Baloteli depërton shkëlqyeshëm në zonë dhe Evans ndërhyn si mbrojtës i fundit përpara se italiani të futej në zonën e rreptësisë. Karton i kuq për Evans, që do ta komplikojë edhe më pasditen e “Djajve të Kuq”. Në minutën e 60-të, dyshja Milner-Baloteli do të përsërisin kombinimin mes tyre dhe sulmuesi potent do të realizojë dopietën e tij dhe avantazhin e dyfishtë për skuadrën e Mançinit. Siti është një skuadër krejt muskuj në fushë dhe Junajtid nuk ka forcë për të reaguar e as për të fituar në dyluftimet me Mikah Riçards apo Jaja Ture. 9 minuta më pas, do të jetë Serxho Aguerro që do të realizojë golin e tretë pas një depërtimi të shkëlqyer në zonë nga ana e Riçards që shërben saktë ish-lojtarin e Atletikos që ndëshkon De Gean e pafaj. Siti kontrollon lojën, ndërsa Junajtid nis të shohë më shumë nga porta kundërshtare, pasi tanimë nuk ka se çfarë të humbasë. Fletçer do të realizojë një gol të shkëlqyer në minutën e 81-të, por kjo vetëm sesa do të iluzionojë tifozët e Junajtidit, pasi me futjen në fushë të Edin Xekos, “citizens” do të realizojnë hakmarrjen perfekte. 3 gola në 3 minuta, nga e 90-ta deri tek e 93-ta me autorë Edin Xekon (2) dhe David Silvën, do të dërgojnë Sitin në parajsë e Junajtidin në ferr. Me këtë fitore, Siti shkëputet edhe më në renditje, duke thelluar diferencën me Junajtidin në 5 pikë dhe shndërrohet në sytë e të gjithë botës si kandidati numër një për të fituar titullin në Premier Ligë.
3 pikë të arta për Arsenalin
Arsenali ka arritur një fitore shumë të rëndësishme ndaj Stoke Sitit në “Emirates” me rezultatin 3-1, duke filluar ngjitjen e vështirë drejt majës së tabelës. Arsenali e dominoi takimin, ndërsa rezultati u zhbllokua në minutën e 27-të kur Aron Ramsej, me një asistim të mrekullueshëm, ndihmoi Zhervinjon të shënojë golin e epërsisë. Pitër Krauç barazoi rezultatin në minutën e 34-ët, që ishte dhe rezultati i pjesës së parë.
Në pjesën e dytë Zhervinjo ishte vendimtar me dy pasime të arta për Robin Van Persin, i cili me t’u futur në lojë, shënoi dy herë (73’ dhe 82’) për shifrat 3-1 dhe rezultatin përfundimtar. Me këtë fitore, Arsenali ka 13 pikë dhe mban vendin e shtatë
Premier Liga
Të shtunën
Ulverhempton – Sunosi 2-2
Aston Vila – Uest Bromuiç 1-2
Njukastëll – Uigan 1-0
Bolton – Sandërlend 0-2
Liverpul – Noruiç 1-1
Dje
Man Junajtid – Man Siti 1-6
Arsenal – Stoke 3-1
Fulham – Everton 1-3
Blekburn – Totenhem 1-2
QPR – Çelsi X-X