Siti pranon: Jemi vetëm për vendin e katërt
Zëvëndëstrajneri te Mançester Sitit, Brajan Kid ka deklaruar se titulli tashmë mund të thuhet se do ta fitojë rivalit po nga Mançesterit, Junajtid i Fergusonit, pasi ai beson se me humbjen e pësuar nga Aston Vila, janë qartësuar pozicionet në Premier Ligë. “Junajtid po shkon shumë mirë. Ata nuk kanë pësuar humbje. Unë gjithnjë kam menduar se Junajtid do ta fitojë titullin, madje shumë javë më parë. Kjo është vetëm një humbje. Tashmë është histori kjo të cilën do ta hedhim pas krahëve. Ne nuk kemi shfaqur përkushtimin e duhur në pjesën e parë por në pjesën e dytë ishte tregim tjetër. Synimi ynë nga fillimi i sezonit ishte vendi i katërt”, u shpreh Kid.
Ndërkohë, bosi i Arsenalit, Arsen Venger, u shpreh se ishte tejet i kënaqur me skuadrën e tij pas fitores prej 3-0 ndaj Uiganit, kjo falë një tregolëshi të shënuar nga holandezi Robin Van Persi. “Lojtarët ishin të kamzhikuar pas pjesës së parë, pasi ne nuk shfrytëzuam rastet tona, megjithëse luajtëm futboll të jashtëzakonshëm. Mendoj se Van Persi është rikthyer në formën e tij më të mirë që pas dëmtimit, kurse Fabregas edhe njëherë tregoi se është i jashtëzakonshëm, ai ishte i nervozuar pse nuk shënoi gol. Është klas i pastër nga pasimi deri te finalizimi”, theksoi Venger.
Gjithashtu, pas kësaj jave të kampionatit anglez nuk ka munguar edhe komenti i trajnerit të Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson, i cili është i bindur se Uejni Runi do të rikthehet në formën e tij më të mirë edhe pse nuk shënoi në fitoren prej 5-0 ndaj Birmingemit. “Ne shpresojmë se ai do të rikthehet, ai e meriton atë. Ai po punon shumë dhe po luan futboll të mirë”, theksoi Ferguson. Ai vijoi të lëvdonte edhe pjesën tjetër të skuadrës, duke përfshirë këtu edhe sulmuesin Dimitar Berbatov, i cili si duket nuk e ka ndërmend të ndalet së shënuari gola në këtë sezon.