Udineze shemb Interin, ndalen Juve e Lacio
Java e 21-të e kampionatit Italian ka dhuruar rezultate befasuese, ku padyshim mbi të gjitha shkaktoi sensacion humbja e Interit të Udine. Skuadra e Leonardos është shkërrmoqur nga Di Natale me shokë 3-1, duke mos treguar asgjë nga potent që kishte ndërmarrë në takimet e fundit. Ishin zikaltërit ata që e filluan më mirë takimin. Pas pasimeve të sakta në zonën e Udinezes, Tiago Mota gjen të lirë Dejan Stankoviç (16’), i cili shënoi 1-0 me anë të një goditjeje të rreptë. Kur dukej se ndeshja u fut në shina normale për Interin, ka ardhur reagimi i shpejtë i vendësve. Tifozët në këmbë i zgjoi Kristian Zapata, i cili me anë të një goditjeje të fuqishme dhe në bashkëpunim me një gabim të rëndomtë të portierit Luka Kastelaci, barazoi shifrat vetëm pesë minuta më pas. Për ta kthyer pasditen e Interit në një të përpjetë, u përkujdes Antonio Di Natale, i cili në mënyrë të përkryer realizoi një supergol nga 20 metra distancë, pas një goditje të lirë të akorduar në favor të Udineses (25’). Pjesa e parë përfundoi me rezultat 2-1. Në fraksionin e dytë në fushë u pa vetëm një skuadër e ajo ishte Udinese. Pas tentativave të shumta, i ndihmuar nga Asamoah, Maurizio Domici, shënoi golin e sigurisë për të tijtë, duke vulosur fitoren e madhe të Udinezes, që po i rrit nga java në javë pretendimet e saj për në Europë. Ndërsa Leonardo duhet të merret me repartin e prapavijës, që dje nuk bindi aspak në Friuli.
Ndërkohë, në ndeshjet e orës 15:00, nuk ka gabuar Napoli. Skuadra e drejtuar nga Valter Maxarri ka siguruar një 0-2 të pastër në Bari dhe e sheh veten në vendin e dytë, pas ndalesës së Lacios. Laveci në minutën e 38-të dhe Kavani në të 87-ën, i dhanë një tjetër shuplakë shpresave të barezëve për mbijetesë. Nga ana tjetër, u siguruan napoletanëve një fitore me shumë vlera në luftën e tyre për një vend në Champions League.
Juventus nuk ka mundur dot të fitojë në “Luigi Ferraris” të Gjenovës, ku ka pasur përballë një Sampdoria të mirëvendosur në fushë. Bardhezinjtë edhe njëherë janë shfaqur të paqartë në lojën e tyre, duke mos qenë aspak të rrezikshëm në fazën sulmuese, pasi edhe loja me një pykë të vetme, Amaurin, nuk ka qenë ajo e duhura. Rastet për shënim janë të pakta, por vlen të përmendet një shpërdorim në momentet e fundit nga Alesandro Del Piero.
Rezultat negativ edhe për Lacion, që dje është mposhtur 3-1 nga Bolonja. Madje, kanë qenë kryeqytetasit ata që kanë kaluar të parët në avantazh, por që nuk kanë ditur të mbajnë rezultatin në favorin e tyre.