Redknap viktimë në Madrid, e grabisin
Menaxheri i Totenhemit, Herri Redknap, ka bërë të ditur se ishte plaçkitur, ndërsa ishte në Spanjë të enjten. Redknap, 63 vjeç, ishte në Madrid për të parë përballjen e rivalëve nga kryeqyteti spanjoll, Real dhe Atletiko, në Copa del Rey. Ai tregoi se dy persona janë rrëzuar në gjunjë para tij dhe filluan t’ia tërheqin pantallonat duke e shqetësuar, ndërsa katër të tjerë ia morën paratë dhe sendet e tjera që kishte në xhepa. Redknap tha se nuk e raportoi incidentin në polici. Ai kishte shkuar për ta përcjellë ndeshjen së bashku me asistentin e tij Kevin Bond dhe iu desh të huazonte para prej tij për të paguar një taksi për t’u kthyer në hotel para se të kthehej në Londër. Ish-menaxheri i Portsmuthit dhe i Uest Hemit përshkroi ngjarjen për BBC Sport. “Isha duke ecur jashtë stadiumit, ishte atmosferë e shkëlqyeshme dhe kishte tezga të vogla që shisnin sheqerka. Mora disa, Kevin ishte me mua, ndërsa ishte një turmë e madhe. Papritmas u afruan dy persona dhe ranë në gjunjë para meje dhe kam vërejtur se dikush më tërhoqi për palltoje. Mendoja ‘çka janë duke bërë?’ Më pas ai m’i rrëzoi çelësat në tokë. Mendoja ‘a është njeri i verbër ose dikush që ka probleme të ecë në mënyrë normale?’ Çka janë duke bërë këta dy persona? U thash, ‘m’i lëshoni pantallonat’, i shtyva anash. Ndërsa bëra këtë, erdhën disa të tjerë, m’i futën duart në xhepa, ishin rreth gjashtë prej tyre. Më pas u larguan. Mendoja ‘ç’janë duke bërë?’ Kontrollova në xhepa dhe kuptova se çka kishin bërë. Ata i morën të gjitha. Të gjitha paratë, kredit kartelat, gjithçka që kisha”, tha ai. Menaxheri i Totenhemit beson se plaçkitësit nuk e dinin se kush ishte. “Ndoshta u jam dukur i marrë ose diçka e ngjashme dhe ata kanë menduar ‘ja ku është një, ai nuk është spanjoll, ne kërkojmë një të huaj’.” Real Madrid fitoi ndeshjen në stadiumin e Atletiko Madridit, “Vicente Calderon” me rezultat 1-0. Redknap tha se incidenti nuk e shqetësoi dhe ai u largua rreth 15 minuta para përfundimit të takimit, të cilin e ndoqi për objektivin e tij, sulmuesin Diego Forlan.