Situata ekonomike, PS: Ka rënie në të gjithë sektorët

Partia Socialiste akuzon Qeverinë për situatën në rënie të ekonomisë shqiptare. Deputeti i selisë rozë Arben Ahmetaj, ka deklaruar se gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti të gjithë të dhënat që kanë të bëjnë me konsumin qytetar, investime vendase dhe të huaja por edhe të ardhurat buxhetore kanë shënuar rekord në rënie. Vendi nuk meriton në 100 vjetorin e tij një qeverisje të tillë tha Ahmetaj.
“Vendi është në krizë ekonomike të thellë. Deklarata e fundit e Bankës së Shqipërisë, konfirmon që edhe 2-3 mujorët e parë të vitit 2012 vazhdojnë rënien ekonomike. Kjo është reflektuar drejtpërsëdrejti në situatën ekonomike të qytetarit shqiptar dhe të familjeve shqiptare.6000 familje të reja janë shtuar në skemën ekonomike. Konsumi privat në rënie të lirë, investimet private në rënie të lirë të reduktuara. Investimet e huaja të munguara. Të ardhurat e buxhetit të shtetit shënojnë rekord në ulje në shumë vite të fundit. Kjo qeveri ka dështuar. Kjo qeveri nuk është në gjendje të menaxhojë ekonominë shqiptare. Kjo qeveri nuk kontrollon territorin shqiptar. Kjo qeveri nuk meriton të jetë qeverisja e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.Shqipëria në 100 vjetorin e vet e gjen veten më të varfër se ditën që është krijuar dhe faji është i kësaj qeverie, i qeverisë së Sali Berishës”-tha ai.