Situata në veri, Sparkes: Po bëjmë aq sa mundemi

Pesë ditë hetime nuk i kanë mjaftuar Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, që të gjejnë të paktën motivin e sulmit mbi familjen Haradinaj në veri të Mitrovicës, ku mbeti i vdekur kryefamiljari Selver Haradinaj.
Zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes, në një bisedë për “Kohën Ditore” ka pranuar kufizimet që ka ky mision për lëvizjen nëpër veri, për shkak të barrikadave të ngritura nga popullsia lokale atje. Sparkes, megjithatë, ka kërkuar nga banorët që të mos e humbin besimin në sundim të ligjit, ndonëse ka thënë se i kupton shqetësimet.
I pyetur në lidhje me takimin me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, Sparkes ka theksuar se Presidentja ka kërkuar që t`i shpjegoj këndvështrimin e EULEX-it për zhvillimet e fundit në veri dhe tensionet e ngritura.
“E sigurova se EULEX-i po e bën punën e tij brenda kufizimeve që kemi në aspektin e numrit të njerëzve që kemi. Kufizime që vijnë nga mungesa e plotë e lirisë së lëvizjes që kemi në veri. Ajo nuk do të shohë tensione dhe do që njerëzit të kenë besim tek institucionet” ka theksuar Sparkes.