E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata nga moti i keq në vend, ulet niveli i ujit të lumit Vjosa. Në Lezhë, Fier, dëme në tokat bujqësore

Situata nga moti i keq në vend, me shira të shumtë dhe daljen nga shtrati të lumenjve, vijon të jetë problematike në disa zona, si rezultat i prurjeve të shumta nga reshjet në lumenjtë Vjosë, Seman dhe Shkumbin. Gjatë natës së djeshme, lumi Vjosë arriti nivelin 8.3 metra, ndërsa në orët në vazhdim pati rënie. Niveli në urën e Mifolit, e përmbytur një ditë më parë, ka pësuar rënie.

Lumi Shkumbin është në kuota normale, ndërsa në Seman prurjet janë shtuar mjaft. Strukturat e Bordit Rajonal të Kullimit dhe Drejtoritë e Ujitjes në bashki monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme argjinaturat pranë lumenjve, nga ku rezulton se deri në këto momente nuk kemi cenim të infrastrukturës kritike. Reshjet kanë shkaktuar dëme në tokat bujqësore të përmbytura në Fier.

Edhe në zonën e Ngurrëz Imësht në Lushnje, nën ujë mbeten 200 hektarë tokë bujqësore, si pasojë e daljes nga shtrati të Semanit, ndërsa 20 fshatra në Memaliaj kanë mbetur pa energji elektrike. Lezha gjithashtu vijon të paraqesë probleme si rezultat i reshjeve, ku në zonën e Matës, pavarësisht mbylljes së argjinaturës, niveli i ujit vijon të jetë i lartë, kryesisht në Barbulloje dhe Mylte, aty ku shumë prej banorëve kanë mbetur të izoluar.

Në Vlorë janë dëmtuar 15 banesa, ndërsa niveli i lumit Vjosë në Novoselë vazhdon me tendencë uljeje; aktualisht niveli është 7.65 m. Po vijon puna në bashkitë Delvinë, Finiq dhe Konispol, ku për shkak të shirave ditën e djeshme ka pasur prezencë dherash në rrugët që lidhin disa fshatra. Ndërkohë, hidrovorët e bashkisë Vlorë janë në punë me kapacitet të plotë. Në qarkun e Beratit, momentalisht nuk raportohet për probleme, ndërsa reshjet e shiut kanë qenë më të dobëta. Në qarkun e Gjirokastrës, në bashkinë Libohovë, rruga Suhë–Poliçan është ende e bllokuar, si dhe është dëmtuar ura e Glinës në Bashkinë Dropull.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›