E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata nga zjarret në Fier nën kontroll, vijon monitorimi i vatrës aktive

TIRANË, 5 shtator/ATSH/ Pjesa më e madhe e vatrave të zjarrit në qarkun e Fierit janë shuar, ndërsa një vatër ende aktive po mbahet nën kontroll për shkak të rrezikshmërisë që paraqet.

Drejtuesja politike e qarkut të Fierit, Belinda Balluku, ndau në rrjetet sociale një përditësim të situatës së zjarreve që përfshiu mbrëmjen e së premtes zonën Levan e Frakull në Fier, teksa tha se “puna e bërë nga Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Prefekti dhe drejtuesit e pushtetit vendor, meriton respekt të thellë”.

Balluku kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve me këto forca deri në përfundim të kësaj situate sfiduese.

Në përditësimin e situatës, deputeti i qarkut të Fierit, Ramion Kurti, informo se “në zonën e Levanit dhe Frakullës gjatë gjithë natës vijoi puna për shuarjen e zjarrit, ndërsa situata tashmë është nën kontroll”.

“Forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga Forcat e Armatosura dhe Policia e Shtetit, punuan për izolimin dhe shuarjen e vatrave kryesore. Ndërhyrja nga ajri dha një ndihmë të madhe për përshpejtimin e shuarjes së flakëve dhe frenimin e përhapjes së tyre në zona të tjera”, u shpreh Kurti.

Ai vlerësoi bashkëpunimin mes strukturave të sigurisë dhe emergjencave civile, duke falënderuar të gjitha forcat e angazhuara për profesionalizmin, përkushtimin dhe vendosmërinë e treguar gjatë operacionit.

Lidhur me situatën më herët, kryeministri Edi Rama njoftoi se strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës dhe evidentimin e dëmeve, ndërsa bashkia do të vijojë identifikimin dhe vlerësimin e tyre, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente.

/e.xh/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›