E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata nga zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 30 vatra në 24 orët e fundit, 8 mbeten aktive. Vijojnë operacionet në disa qarqe

Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve gjatë 24 orëve të fundit, duke njoftuar se në të gjithë vendin janë raportuar 30 vatra zjarri, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive.

Sipas ministrisë, përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura, në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse, 502 forca operacionale, si edhe 110 efektivë të Forcave të Armatosura. Në mbështetje të operacioneve janë përdorur gjithashtu tre helikopterë dhe avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Operacionet vazhdojnë edhe në Priskë dhe Çakallesh, ku situata mbetet nën monitorim dhe pa rrezik për komunitetin.

Në Riban, Ngraçan dhe Panahor, në bashkinë Mallakastër, forcat po punojnë për shuarjen e zjarreve në një terren të vështirë, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.

Edhe në qarkun e Elbasanit vijojnë ndërhyrjet në vatrat e zjarrit në Shqiponjë, malin e Dardhës dhe Mjekës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zjarri në Shqiponjë është vënë nën kontroll, ndërsa vatra në malin e Dardhës është izoluar.

Ndërkohë, në Kostren 2, në bashkinë Berat, vijon puna për shuarjen e një vatre të riaktivizuar, me angazhimin e forcave dhe mjeteve zjarrfikëse.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe të gjitha strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin e vendit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›